Në Ballkan, ku balancat e sigurisë mbeten të brishta dhe veprimet shtetërore shpesh interpretohen përtej peshës së tyre reale, edhe hapat e vegjël marrin rëndësi të shtuar. Në këtë kontekst, prodhimi i planifikuar i municionit nga Kosova është një hap i kufizuar, por me potencial për të ndikuar në mënyrën se si vendi perceptohet në fushën e mbrojtjes.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se fabrika e parë e municioneve në Kosovë do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, ndërsa prodhimi i parë pritet të dalë në fund të vitit 2026. Dhe, aktiviteti nuk do të ndalet me kaq.
“Kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë, me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojmë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake – dronë ushtarakë dhe civilë ‘Made in Kosova’”, tha Kurti më 27 nëntor, përcjell A2.
Marrëveshja për fabrikën u nënshkrua më 16 dhjetor, 2024, mes Qeverisë së Kosovës dhe prodhuesit shtetëror turk, MKE.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të kontaktojë drejtpërdrejt me kompaninë, por, sipas një deklarate të saj nga tetori, Kosova do të pajiset me makineri për prodhimin e fishekëve dhe plumbave, një linjë prodhimi dhe montimi, laborator dhe pajisje testimi. Personeli i MKE-së do të ofrojë edhe shërbime prodhimi, mirëmbajtjeje, riparimi dhe asistencë teknike për stafin kosovar.
I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s në Bruksel nuk dha një vlerësim të drejtpërdrejtë për njoftimin e Kosovës se do të nisë prodhimin e municionit në vitin 2026, as për standardet specifike që vendi duhet t’i ndjekë, por u shpreh vetëm se “misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, mbetet i përqendruar në zbatimin e mandatit të OKB-së, duke ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së, EULEX”.
NATO-ja nuk e ka mbështetur shndërrimin e FSK-së në ushtri – proces që pritet të përfundojë në vitin 2028. Autoritetet e Kosovës, përfshirë Kurtin, thonë se ai po zhvillohet sipas standardeve të NATO-s dhe se armatimi i blerë gjatë katër vjetëve të fundit – në vlerë mbi 430 milionë euro sipas tij – vjen nga vende anëtare të aleancës: SHBA-ja, Turqia, Gjermania e të tjera.
“Duke e rritur ushtrinë, e sigurojmë Republikën. Duke e ngritur Forcën e Sigurisë së Kosovës, e forcojmë partneritetin me aleatë”, tha Kurti.
Koloneli amerikan në pension, Ray Wojcik, e sheh vendimin e Kosovës për të prodhuar municione si një “iniciativë fantastike” – në linjë me pritjet e NATO-s që vendet aspiruese të zhvillojnë kapacitete industriale mbrojtëse. Në vlerësimin e tij, Kosova po e nis këtë prodhim në kohën e duhur: për të forcuar aftësitë e saj ende të kufizuara, për t’iu përgjigjur kërkesave më të larta të sigurisë pas luftës në Ukrainë dhe për të rritur bashkëpunimin rajonal me aleatët.
“Një nga gjërat pozitive për Kosovën, falë pranisë shumëvjeçare të misionit të NATO-s, KFOR, është marrëdhënia e ngushtë dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me aleatët. Kosova e ka diskutuar këtë nismë veçanërisht me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar – dy nga aleatët e saj më të afërt, të cilët janë shumë mbështetës për të”, thotë Wojcik për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Wojcik, i cili ka shërbyer si udhëheqës i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën amerikane në Prishtinë, përmend edhe marrëveshjen rajonale të mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e cila, sipas tij, mbështet iniciativën për prodhimin e municioneve në Kosovë. m.p.
