Last Updated on 07/09/2026 by EL
Kosova ka nënshkruar marrëveshjen formale për t’iu bashkuar Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza, një mision i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe i mandatuar nga Kombet e Bashkuara.
Lajmi u bë i ditur nga “Board of Peace”, i cili njoftoi se marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në ISF u nënshkrua gjatë një ceremonie të zhvilluar në Prishtinë.
Marrëveshja u firmos nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti i ISF-së, gjeneralmajori amerikan Jasper Jeffers.
Sipas njoftimit, dokumenti formalizon përfshirjen operacionale të Kosovës në këtë forcë shumëkombëshe, e cila synon të kontribuojë në ruajtjen e stabilitetit, procesin e çmilitarizimit dhe garantimin e sigurisë në Gazën pas konfliktit.
Me këtë marrëveshje, Kosova bëhet pjesë e koalicionit të shteteve që kanë konfirmuar kontributin e tyre në ISF. Në mesin e vendeve pjesëmarrëse janë edhe Indonezia, Maroku, Kazakistani, Shqipëria dhe Uganda.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë mision shënon një angazhim të ri ndërkombëtar të Prishtinës në një prej çështjeve më të ndjeshme të sigurisë në Lindjen e Mesme.
