Last Updated on 04/10/2026 by EL
Kosova është ndalur në barazim me Austrinë, në përballjen e vlefshme për Ligën B të Nations League.
“Dardanët” ishin në epërsi, por Austria me një gol me fat arriti ta merrte një pikë në Prishtinë pasi ndeshja përfundoi 1-1.
Përballja ishte tepër dramatike nga minuta e parë, ku të dy kombëtaret kërkuan ta gjenin rrjetën. Kosova rrezikoi me Vedat Muriqin dhe Veldin Hoxhën, miërpo asnjëri prej tyre nuk arriti ta mposhtë portierin e Austrisë.
Ndërkohë, edhe Amir Shaipi bëri disa pritje të bukura për t’ua mohuar golin austriakëve.
Pjesa e dytë ishte shumë më e zjarrtë. Kosova e nisi fuqishëm për të rrezikuar me Hoxhën, që e kishte një mundësi të mirë me kokë, por goditja rezultoi të jetë qendrore.
Pas një aksioni të bukur, Edon Zhegrova asistoi për Fisnik Asllanin, i cili mposhti portierin austriak për t’i dhënë epërsinë Kosovës në minutën e 70.
Vetëm tre minuta më vonë, Kosova kishte rastin për të dyfishuar epërsinë, por Milot Rashica goditi shtyllën.
Kur askush s’e priste, Austria ndërtoi diçka përmes rivënies anësore, ku Kalajdzic asistoi te Lang, i cili shënoi me kokë për të barazuar rezultatin në minutën e 85.
Pas këtij rezultati, Kosova renditet e dyta në grup, me 3 pikë më pak se Austria.
Kosova do të rikthehet në Prishtinë sërish më 14 nëntor, ku do të presë Izraelin, pastaj udhëton tre ditë më vonë për në Irlandë, ku do ta mbyllë ciklin kualifikues të Ligës së Kombeve./et
