Last Updated on 08/09/2025 by adminfjala
Javën e kaluar, Kosova ka pranuar drone pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma, të blera nga Shtetet e Bashkuara, njoftoi ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci tha se këta dronë janë blerë përmes programit shtet më shtet dhe se pagesa për këto fluturake është realizuar më 2021.
Ai nuk tregoi se për sa fluturake pa pilot bëhet fjalë. Megjithatë, sipas raportimeve të mëhershme nga mediat amerikane, Kosova ka porositur 40 njësi të këtyre fluturakeve dhe vlera e tyre vlerësohet të jetë 11.1 milionë dollarë apo 215 mijë për njësi.
“Fluturaket Puma krahas fluturakeve tjera janë një kapacitet tjetër i nevojshëm për rritjen e aftësive të FSK-së në fushën e sistemeve ajrore pa pilot”, shkroi Maqedonci.
Njoftimi për pranimin e dronëve vjen disa javë pasi Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) pranoi autoblinda të blerë nga SHBA-ja.
Maqedonci tha se bashkëpunimi me SHBA-në në fushën e mbrojtjes “po thellohet dhe zgjerohet vazhdimisht” dhe ky bashkëpunim, sipas tij, i kontribuon interesave të përbashkëta të të dyja vendeve.
Kosova synon të blejë edhe armë të tjera nga SHBA-ja. Vitin e kaluar, vendi ka bërë kërkesë për blerjen e 200 kundërajrorëve Javelin, dhe tani është duke bërë pagesën e tyre.
FSK-ja aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri. Procesi ka nisur më 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet. m.p.
