Last Updated on 24/11/2026 by Monika
Deputeti socialist, Blendi Klosi, dhe gazetari Lutfi Dervishi kanë përplasur ‘brinjët’ në një emision televiziv.
Klosi ka komentuar buxhetin 2027, i cili pritet të miratohet në seancën e radhës në Kuvend, por gazetari i ftuar në emision nuk ka ngurruar t’i kundërvihet Klosit, duke shprehur indinjatën e tij ndaj buxhetit të ri.
“Kemi marrë masa të rëndësishme që kanë të bëjnë me njerëzit e thjeshtë edhe ata të cilët kanë nevojë dhe kemi dakorduar me atë çfarë kemi thënë ditën e parë dhe i qëndrojmë besnikë që ata të cilët fitojnë më tepër do të kontribuojnë më shumë.
Ne nuk jemi këtu për të shpërndarë varfërinë dhe fukarallëkun.
Dëshmia e fundit është buxheti historik që miratohet në parlament.”, u shpreh Klosi.
Dervishi ka deklaruar se buxheti më i madh nuk përkthehet automatikisht në përmirësim të jetesës.
Sipas tij, ato janë shifra që njerëzit nuk mund as t’i dallojnë, madje duke sjellë në vëmendje varfërinë e qytetarëve shqiptarë, që për Dervishin është në nivele më të dërrmuara se në vitin 2013, vit kur në pushtet erdhi kryeministri aktual i vendit, Edi Rama.
“Për varfërinë, por siç duket i doni kaq shumë të varfrit saqë i shtoni në mënyrë progresive, si ekonomia. Njerëzit nuk janë më të pasur sot se sa ishin në 2013-tën.”, replikoi Dervishi.
Klosi, teksa shpjegonte buxhetin, shpjegoi se shtresa e mesme është rritur ndjeshëm dhe kjo reflektohet edhe në buxhetin historik, duke sjellë si shembull pagën e mësuesve, që sipas socialistit marrin trefishin e pagës që merrnin para se PS-ja të vinte në pushtet.
“Ky, opinioni juaj.
Shtresa e mesme shqiptare merr paga shumë më të larta.
Mësuesit marrin 2 deri 3- fishin e pagës së tyre në krahasim me kohën kur kemi ardhur.”, shtoi Klosi.
“Mund të marrin dhe miliona, por blejnë shumë herë më pak.”, iu kundërpërgjigj Dervishi./Mxh
