Zvarritja e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të Qeverisë së re, Kosovës mund t’i kushtojë me humbjen e fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, paralajmërojnë njohësit e integrimeve evropiane.
Plani i Rritjes, që mbulon periudhën 2024-2027, përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh, e miratuar nga BE-ja në fund të vitit 2023, për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.
Për të përfituar nga këto fonde, vendet duhet t’i përfundojnë reformat e kërkuara nga BE-ja, që përfshijnë sektorin privat, tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin.
Nga kjo paketë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, prej të cilave mbi 250 milionë si grant pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formë kredie me kushte të favorshme.
Megjithatë, vendi nuk e ka përfituar pjesën e para-financimit – prej 61 milionë eurosh – që tashmë u është ndarë Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Këtyre vendeve u janë ndarë edhe mjete të reja javën e kaluar.
Jashtë përfitimeve mbetet edhe Bosnje e Hercegovina, e cila nuk e ka miratuar në kohë agjendën e reformave dhe Planin e Rritjes.
Kosova ishte ndër të parat që miratoi agjendën e reformave, por fondet mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së institucioneve që ta ratifikojnë marrëveshjen formale me BE-në.
“Kjo dërgon një sinjal negativ në Bruksel, ku frustrimi i institucioneve dhe shteteve anëtare po vazhdon të rritet, për shkak të sjelljes së elitës politike kosovare”, thotë Donika Emini, hulumtuese në Grupin Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BiEPAG), për Radion Evropa e Lirë.
Kuvendi i Kosovës u shpall i konstituuar më 10 tetor, por, ndërkohë, procesi u kontestua në Gjykatën Kushtetuese nga Lista Serbe.
Vendi, po ashtu, mbetet ende me Qeveri në detyrë, edhe pse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marrë mandatin për formimin e ekzekutivit të ri. /K.M
