Last Updated on 09/11/2026 by Klara
Rritja e kostos së jetesës, pagat e ulëta, papunësia dhe vështirësitë për të përballuar strehimin po nxisin protesta të të rinjve në disa vende të Europës. Nga Franca dhe Italia deri në Ballkan, brezi i ri po ngre zërin kundër kushteve ekonomike dhe mungesës së perspektivës për të ardhmen.
Sipas raportimeve, pakënaqësitë lidhen edhe me sistemin arsimor, shërbimet publike, korrupsionin dhe ndjesinë se kërkesat e të rinjve nuk dëgjohen nga autoritetet.
Franca është kthyer në një nga qendrat kryesore të protestave, ndërsa demonstrata janë zhvilluar edhe në Spanjë, Itali, Gjermani, Portugali, Greqi, Belgjikë dhe Shqipëri. Sipas të dhënave të ACLED, në periudhën 15 shtator – 30 tetor janë regjistruar mbi 1.700 protesta dhe trazira në 31 vende europiane.
Të rinjtë kërkojnë më shumë mundësi punësimi, arsimim cilësor, paga të denja dhe politika që garantojnë një të ardhme më të sigurt. Pakënaqësia po merr përmasa më të gjera, duke ushtruar presion mbi qeveritë europiane për të adresuar problemet ekonomike dhe sociale./k.m
