Prokurori i Lezhës, Bardhyl Shehu, u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) më 10 gusht 2023, pas konstatimit se nuk kishte shpjeguar burimin e ligjshëm të pasurive të tij dhe kishte paraqitur informacion të pasaktë. Vendimi u konfirmua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), i cili gjeti të pabazuara pretendimet e Shehut dhe la në fuqi shkarkimin.
Komisioni dhe Kolegji konstatuan probleme të shumta lidhur me pasuritë e Shehut. Për një apartament 138 m² dhe një garazh 18.6 m² në Tiranë, të blerë me 181 mijë euro, Shehu nuk arriti të provonte ligjshmërinë e burimeve financiare, duke pretenduar se blerja ishte bërë nëpërmjet një shkëmbimi prone me babanë dhe vëllezërit, të cilin KPA e konsideroi të pabesueshëm dhe ekonomikisht jo-logjik.
Po ashtu, Shehu deklaroi një automjet Benz për 2000 euro, ndërkohë që çmimi real i blerjes rezultoi 838 mijë lekë. Kolegji e gjeti këtë deklarim të pasaktë dhe të bërë për të justifikuar burimet e pasurisë.
Probleme u gjetën edhe me transaksionet e kryera nga bashkëshortja e tij për blerjen dhe shitjen e një trualli 1058 m² në Tiranë, ku Shehu nuk arriti të provonte të ardhurat për pagesën e pronës dhe nuk e deklaroi atë në formularin e vetingut. Gjithashtu, u konstatua deklarim i pasaktë për një depozitë prej 3.4 milionë lekësh.
Megjithëse KPA pranoi se vonesa e Shehut në seancat dëgjimore dhe dorëzimi i raporteve mjekësore jo në formë të ligjshme mund të cënonte besimin e publikut, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të ndryshuar vendimin.
Në përfundim, Bardhyl Shehu u gjet i paaftë për të provuar burimet e ligjshme të pasurive dhe u shkarkua nga detyra, duke u lënë në fuqi vendimi i KPK-së.
