Last Updated on 05/03/2026 by Monika
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot për shkarkimin nga detyra të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka.
Zarka ndodhet në parburgim që prej korrikut të vitit 2024, pasi u arrestua për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në disa çështje, përfshirë dhe dosjen e njohur si “Toyota Auris”.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) 42/2024, datë 28.10.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 779, datë 28.06.2024, për subjektin e rivlerësimit Aurel Zarka.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 779, datë 28.06.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Aurel Zarka.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, më datë 05.03.2026, në Tiranë”,-thuhet në njoftim./mxh
