Kremlini ka rritur presionin ndaj Ukrainës, duke i bërë thirrje presidentit Volodymyr Zelenskyy që të tërheqë menjëherë trupat nga rajoni i Donbasit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se një vendim i tillë duhet të ishte marrë që më parë, duke theksuar se kjo do të ndihmonte në ndalimin e fazës më të ashpër të luftës.
Sipas tij, tërheqja e forcave ukrainase përtej kufijve administrativë të rajonit të Donbas do të shpëtonte jetë njerëzish dhe do të krijonte mundësi për uljen e tensioneve në terren.
Deklaratat e Moskës vijnë pas komenteve të presidentit ukrainas, i cili sipas raportimeve ka pohuar se Rusia i ka dhënë Ukrainës një afat prej dy muajsh për të tërhequr trupat nga Donbasi, përndryshe rrezikon përballjen me kushte më të ashpra në një marrëveshje të mundshme paqeje.
Lufta në Ukrainë vijon të mbetet një nga krizat më të mëdha të sigurisë në Evropë, ndërsa përpjekjet diplomatike për një zgjidhje të qëndrueshme mbeten të vështira dhe të pasigurta./mxh
