Presidenti rus Vladimir Putin do t’i përgjigjej një telefonate nga homologu ukrainas Volodymyr Zelensky, nëse ky i fundit do të kërkonte kontakt, pasi Moska nuk i ka refuzuar asnjëherë bisedimet. Deklarata është bërë nga këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.
“Besoj se ai do të përgjigjej, sigurisht. Putini nuk i ka refuzuar kurrë bisedimet”, deklaroi Ushakov.
Ai theksoi se raundi i parë i negociatave për Ukrainën duhet të zhvillohet në një format trepalësh, ku të përfshihen Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina.
I pyetur nëse në negociata duhet të marrin pjesë edhe vendet evropiane, këshilltari i Kremlinit u shpreh se, duke qenë se Moska ka kontakte pune me Uashingtonin, është logjike që fillimisht bisedimet të zhvillohen mes këtyre tre palëve.
Deklarata vjen në një kohë kur vijojnë diskutimet për mundësinë e rifillimit të negociatave diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë./ad
