Kremlini deklaroi sot se intensifikimi i sulmeve ukrainase në territorin rus nuk do ta afrojë fundin e luftës, por përkundrazi do ta zgjasë atë. Reagimi erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi se këto sulme mund ta shtyjnë Moskën të negociojë për përfundimin e konfliktit.
“Sa më shumë që regjimi i Kievit të godasë infrastrukturën tonë, aq më shumë do të detyrohemi të zgjerojmë zonën e sigurisë përgjatë vijës së frontit”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ai shtoi se “një përshkallëzim i ri mund ta zgjasë operacionin ushtarak special”, duke përdorur termin me të cilin Rusia i referohet ofensivës së saj ushtarake në Ukrainë, e nisur në shkurt të vitit 2022.
Një ditë më parë, Donald Trump kishte deklaruar se “përshkallëzimi” i sulmeve ukrainase mund “të ndihmojë për të arritur fundin e luftës”, duke lënë të kuptohet se presioni ushtarak ndaj Rusisë mund ta shtyjë atë drejt negociatave.
Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh se “rusët e kanë gjithnjë e më të vështirë të mbrojnë hapësirën e tyre ajrore”. Sipas tij, Uashingtoni shpreson që kjo situatë “të krijojë kushtet e nevojshme për të negociuar përfundimin e kësaj lufte”.
Nga ana tjetër, Peskov foli për ato që i quajti “gabime në vlerësim” nga ana e Uashingtonit, sipas të cilave përshkallëzimi dhe presioni ushtarak mund të favorizojnë rikthimin në rrugën e zgjidhjes paqësore.
“Ky është një vlerësim i gabuar. Për këtë arsye, rritja e tensioneve dhe veprimet që çojnë drejt përshkallëzimit nuk do të kontribuojnë në asnjë mënyrë në procesin e paqes”, theksoi ai.
Prej muajsh, Ukraina ka shtuar sulmet me dronë ndaj objektivave në territorin rus, duke goditur veçanërisht rafineritë e naftës, depot e karburantit dhe anijet transportuese në det. Këto sulme kanë shkaktuar mungesa të karburantit në disa zona të Rusisë.
Përpjekjet ndërmjetësuese të Shteteve të Bashkuara për arritjen e një armëpushimi kanë mbetur në vendnumëro që nga fundi i muajit shkurt, kur shpërtheu lufta në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, pavarësisht mbështetjes së ripërtërirë që Donald Trump i dha Ukrainës gjatë samitit të fundit të NATO-s, Kremlini deklaroi se vazhdon të shohë nga ana e Uashingtonit “një vullnet për të kontribuar në krijimin e një procesi paqeje”./mxh
