Last Updated on 16/10/2025 by EL
Batalioni i Operacioneve Speciale, njësia elitë e Forcave Speciale të Ushtrisë Shqiptare, shënon sot 27 vjetorin e krijimit të saj. Në Tetor të vitit 1998, nën drejtimin e kolonelëve Pajtim Abazi dhe Hysen Ymeri, djemtë më të mirë të Ushtrisë Shqiptare u bënë pjesë e një procesi transformues.
Ata nisën një proces transformimi të vështirë dhe me standarde 100% si të çdo force speciale të vendeve të NATO-s, duke krijuar Forcat Speciale të Ushtrisë Shqiptare.
Batalioni i Operacioneve Speciale është krijuar si një përgjigje e drejtpërdrejtë për situatën gjeopolitike në rajon. Menjëherë pas krijimit të tyre, ekipet e BOS operatorëve u vendosën përgjatë kufirit shqiptaro-jugosllav, gjatë Luftës së Kosovës në 1999 dhe më vonë përgjatë kufirit shqiptaro-maqedonas gjatë luftës së atij vendi, në vitin 2001.
Gjatë këtyre dy konflikteve, detyrat kryesore BOS ishin zbuluese dhe me rreze të gjatë patrullë.
Në vitin 2002, BOS operatorët u vendosën në Afganistan si pjesë e Operacionit Liria e Qëndrueshme. Kontingjentet e para kanë operuar nën komandën turke dhe detyrat e tyre ishte kryesisht patrullim i zonave përreth Kabulit. Në vitin 2004, Shqipëria ka dërguar një njësi të Batalionit të Operacioneve Speciale në Mosul, si pjesë e Operacionit Liria e Irakut.
Kjo njësi së bashku me njësitë e tjera të Regjimentit Komando ishin përgjegjëse për sigurinë bazë dhe mbrojtjen rrethuese. Në korrik të vitit 2010, një detashment i 44 operatorëve (me emrin e koduar Eagle 1) nga BOS u pozicionua në Kandahar, Afganistan. Ndryshe nga ekipet e tjera, ky kontigjent ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në operacionet luftarake.
Operatorët e BOS në këtë njësi besohet se kanë punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në operacionet e zbulimit dhe ishin përgjegjës për zbulimin e linjave talebane, si dhe mbledhjen e inteligjencës mbi objektivat me vlerë të lartë.
Djemtë dhe vajzat operatore të Batalionit të Operacioneve Speciale kanë shërbyer dhe shërbejnë në dhjetëra misione ndërkombëtare nga Iraku në Afganistan e në Ballkan, duke treguar profesionalizëm të lartë.
Batalioni i Operacioneve Speciale nderon dhe kujtimin e kapiten Feti Voglit e rreshterit Marenglen Brahmati. Më 16 Janar 2012, Feti Vogli ishte pjesë e misionit luftarak “EAGLE 4” që shkoi në Kandahar të Afganistanit dhe u vra në shërbim në Shkurt 2012.
Ishte 20 shkurt i vitit 2012 kur një grup me efektivë shqiptarë u godit pabesisht me armë nga një efektiv taleban i infiltruar mes trupave afgane, duke i marrë jetën kapiten Feti Voglit. I plagosur mbeti komando Aleksandër Peçi.
Në rrëfimet e këtij të fundit, Peçi ka treguar se rreshteri Marenglen Brahmati e përjetoi shumë keq goditjen e kolegëve të skuadrës në Kandahar dhe kur u kthye në Shqipëri, tentoi vetëvrasjen. Dy javë pas kthimit nga Afganistani, Marenglen Brahmati qëlloi veten me armën e shërbimit dhe ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak.
Kolonel Dritan Demiraj thotë se nën drejtimin e instruktorëve turq të Forcave Speciale, u krijuar B.O.S.
Gjeneral Arben Kingji, Kolonel Behar MarA, Kolonel Ajet Jata, Kolonel Bledi Lama, kolonel Ekland Dauti, kolonel Asllan Nuzi, Pali Dakolli, Mazllum AllA, Ramadan Karakushi, Lavdrim Oshafi, Besnik Cukali, Agim Kuçana, Ervis Spahi, Mujo Ahmetaj, etj, në bashkëpunim me shtabin e batalionit kolonel Arben Toska, kolonel Arben Dhuli, Flamur Daci, Agron Hoxha, etj, te gjithë së bashku krijuan, punuan dhe shërbyen në mbi 50 misione ndërkombëtare, luftarake dhe paqeruajtëse në Irak, Afganistan, Cad, Bosnjë dhe Kosovë.
“Me kete rast duke mos qene ne Shqiperi, deshiroj te shpreh mirenjohjen dhe respektin maksimal per djemte dhe vajzat me te cilet punuam dhe sherbyem se bashku per 7 vite ne kete njesi elite, duke ju uruar suksese ne misionin tuaj te shenjte ju dhe familjeve tuaja”, shkruan Dr. Dritan Demiraj, Col (Ret) SF, Nderi i Kombit./e.t
