Maroku ka hyrë në historinë e futbollit botëror pasi vendosi një rekord të ri të fitoreve radhazi. Kombëtarja afrikane koleksionoi 16 ndeshje të fituara njëra pas tjetrës, duke thyer rekordin e mëparshëm të Spanjës prej 15 fitoreve të regjistruara mes qershorit 2008 dhe qershorit 2009.
Suksesi i fundit për “Luanët e Atlasit” erdhi në fitoren ndaj Kongos. Ky ishte triumfi i tetë radhazi në Grupin E të eliminatoreve të Kupës së Botës 2026, një seri ku Maroku nuk pësoi asnjë gol, duke u bërë e vetmja skuadër afrikane që mbylli fazën e grupeve me 8 fitore nga 8 ndeshje dhe me portën e paprekur.
Ekipi i drejtuar nga Walid Regragui, që vazhdon të shkëlqejë pas vendit të katërt të arritur në Botërorin “Katar 2022”, ka arritur të ruajë vazhdimësinë dhe stabilitetin në performancë, kjo ndikuar edhe nga brezi i futbollistëve që ka në përbërje.
Seria e artë e Marokut nisi në qershor 2024 me një fitore 2-1 ndaj Zambisë dhe që prej asaj kohe, përfaqësuesja afrikane ka koleksionuar, 7 fitore në eliminatoret për Kupën e Botës 2026, 6 fitore në kualifikueset për Kupën e Kombeve të Afrikës dhe 3 fitore në ndeshje miqësore. /K.M
