Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, zhvilloi ditën e sotme një takim zyrtar me Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Reinout Vos.
Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi inicimin e bashkëpunimit ndërinstitucional midis Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe institucionit homolog holandez, Algemene Rekenkamer (Gjykata e Llogarive e Holandës). Ky bashkëpunim, i mundësuar me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Tiranë, synon të forcojë shkëmbimin e eksperiencave, praktikave më të mira të auditimit dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale.
Ambasadori Vos shprehu vlerësimin e tij për punën dhe kontributin e deritanishëm të KLSH-së, veçanërisht në forcimin e rolit të institucionit në nivel ndërkombëtar përmes bashkëpunimeve me institucione homologe dhe organizata ndërkombëtare të auditimit.
Gjithashtu, Ambasadori vlerësoi bashkëpunimet ekzistuese të KLSH-së me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Faktoje.al, në kuadër të projekteve të përbashkëta që po zhvillohen me mbështetjen e Ambasadës së Holandës, me synim rritjen e transparencës, llogaridhënies publike dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile dhe medias në mbikëqyrjen e përdorimit të fondeve publike.
Bashkëbisedimi ndërmjet Kryetarit Shehu dhe Ambasadorit Vos u përqendrua gjithashtu në zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët institucional, me qëllim rritjen e ndikimit të auditimit të jashtëm publik në përmirësimin e qeverisjes dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
KLSH mbetet e angazhuar për të thelluar partneritetet ndërkombëtare dhe për të avancuar standardet e auditimit publik, në shërbim të transparencës, llogaridhënies dhe interesit publik./mxh
