Last Updated on 29/09/2026 by EL
Europa mbetet kontinenti më i vizituar në botë, por sektori i turizmit po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha nga ndryshimet klimatike, mbipopullimi i destinacioneve dhe infrastruktura e pamjaftueshme.
Duke folur në Samitin e Euronews për Udhëtimet dhe Turizmin në Bruksel, Eduardo Santander, CEO dhe drejtor ekzekutiv i Komisionit Europian të Udhëtimeve, tha se Europa rrezikon të shndërrohet në një “muze ose park argëtimi” për udhëtarët e botës. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk është domosdoshmërisht negative nëse turizmi “organizohet dhe menaxhohet mirë”.
Në indeksin më të fundit të Forumit Ekonomik Botëror për Zhvillimin e Udhëtimeve dhe Turizmit, të publikuar në shtator, vendet europiane përbënin shtatë nga dhjetë destinacionet kryesore turistike në botë. Spanja renditej e treta.
Pesha ekonomike e turizmit në Europë është gjithashtu e konsiderueshme. Sipas Santander, sektori kontribuon me rreth 10% të ekonomisë europiane, ndërsa në disa vende, përfshirë Spanjën, turizmi përbën rreth 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në tregje të tjera, kjo peshë mund të arrijë në 15% apo edhe 20%.
Santander theksoi nevojën për më shumë investime në infrastrukturën turistike, veçanërisht në akomodim dhe transport. Sipas tij, përmirësimi i këtyre kapaciteteve është i rëndësishëm edhe në një kohë kur Europa po përpiqet të rrisë produktivitetin në industri të tjera, si ajo kimike dhe automobilistike.
Për kreun e Komisionit Europian të Udhëtimeve, problemi nuk është vetëm “mbiturizmi”, por mbi të gjitha bllokimet dhe mbingarkesa që krijohen në destinacionet turistike. Kjo përfshin shërbimet në aeroporte, transportin tokësor dhe flukset e mëdha të vizitorëve në atraksionet më të njohura europiane.
Por përtej mbipopullimit dhe presionit mbi komunitetet lokale, Santander e cilësoi ndryshimin e klimës si “me diferencë kërcënimin më të madh për turizmin tani”.
Ai solli si shembuj ndikimin e temperaturave ekstreme mbi transportin dhe turizmin. “Ka raste kur trenat nuk mund të qarkullojnë sepse shinat zgjerohen për shkak të temperaturave të larta”, tha Santander. Sipas tij, probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në linjat e kroçerave në lumenjtë europianë, të cilat nuk kanë mundur të operojnë për shkak të nivelit shumë të ulët të ujit.
Në këtë situatë, qëndrueshmëria dhe aftësia për t’u përshtatur po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për industrinë turistike europiane. Santander tha se rezistenca ndaj ndryshimeve klimatike duhet të shndërrohet në një nga motorët e turizmit europian, pasi sektori duhet të jetë i përgatitur për kushtet që mund të sjellë e ardhmja.
Ndryshimet klimatike po ndikojnë edhe në zgjedhjet e vetë turistëve. Gjatë verës së vitit 2026 u vu re rritja e trendit të njohur si “coolcations”, ku udhëtarët shmangin destinacionet tradicionale mesdhetare gjatë periudhave të temperaturave ekstreme dhe zgjedhin zona me klimë më të freskët.
Sipas Santander, Europa duhet të përgatitet për këtë ndryshim në mënyrë “shumë më të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse”, duke përshtatur infrastrukturën, transportin dhe menaxhimin e flukseve turistike me realitetin e ri klimatik.
