Last Updated on 19/11/2026 by EL
Pirateria audiovizive vijon të mbetet një ndër sfidat e tregut mediatik, duke shkaktuar dëme financiare për operatorët e ligjshëm dhe duke cenuar të drejtat e transmetimit. Përballë këtij fenomeni, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka ndërmarrë nismën për krijimin e Koalicionit kundër Piraterisë Audiovizive, me synimin për të bashkuar operatorët në identifikimin dhe luftimin e transmetimeve të paautorizuara.
Në kuadër të kësaj nisme, AMA ka krijuar edhe një platformë elektronike, të quajtur PENPA, për raportimin dhe ndjekjen e rasteve të piraterisë. Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, bëri të ditur gjithashtu se në kuadër të masave kundër këtij fenomeni janë kryer 222 inspektime në terren, janë vendosur 11 gjoba dhe janë mbyllur 32 serverë të paautorizuar jashtë vendit.
“Kemi kryer 222 inspektime në terren, kemi vendosur 11 gjoba, 5 prej tyre për mosrespektim të të drejtave të transmetimit. Janë mbyllur 32 serverë të paautorizuar jashtë vendit, janë hequr 3 aplikacione, janë kryer tre sekuestrime të pajisjeve të përdorura nga piratët. TikTok ka hequr 2,776 video dhe foto që promovonin piraterinë televizive”, tha ajo.
Nisma synon të krijojë një mekanizëm të përbashkët për identifikimin, raportimin dhe ndjekjen e rasteve të piraterisë audiovizive, e cila dëmton operatorët e ligjshëm, cenon të ardhurat e tyre dhe pengon investimet në përmbajtje të reja./et
