Kris Jenner duket se nuk është plotësisht e bindur nga rezultati i ndërhyrjes së saj estetike, për të cilën thuhet se ka shpenzuar rreth 100 mijë dollarë. Gati një vit pas lifting-ut të fytyrës, burime pranë saj tregojnë se ajo po mendon seriozisht për një ndërhyrje të re.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, Jenner është zhgënjyer nga fakti që efekti nuk ka zgjatur siç priste. Një burim i afërt ka bërë të ditur se ajo e sheh pamjen e saj si më pak të freskët krahasuar me disa figura të tjera publike.
“Ajo mendon se rezultati ka nisur të zbehet dhe nuk është ajo që kishte imagjinuar,” citohet të ketë thënë burimi, duke shtuar se krahasimet me emra të njohur si Denise Richards dhe Lori Loughlin e kanë bërë edhe më kritike ndaj vetes.
Kujtojmë se në maj të vitit 2025, Kris Jenner mori vëmendje të madhe pasi u ngatërrua me vajzën e saj Kim Kardashian gjatë një paraqitjeje në Paris, një moment që u komentua gjerësisht në rrjet. Ndërhyrja estetike, sipas raportimeve, është realizuar nga kirurgu Steven M. Levine, i njohur për procedura të tilla.
Vetë Jenner ka folur më herët hapur për vendimin e saj, duke theksuar se dëshiron të kujdeset për veten dhe të ndihet mirë me pamjen, pavarësisht moshës. Në një intervistë, ajo është shprehur se për të, kujdesi ndaj vetes është pjesë e mënyrës për të përballuar kalimin e viteve me vetëbesim./mxh
