Në rrjetet sociale në Itali, po qarkullon një meme e krijuar nga inteligjenca artificiale, ku Giorgia Meloni paraqitet sikur po kalon një situatë të ngjashme me atë të një ndarjeje të vështirë personale, shkruan BBC.
Në një foto të rreme ajo shfaqet me një prerje të re flokësh, në disa të tjera imagjinohet duke rezervuar pushime për beqarë, duke u stërvitur për një maratonë dhe duke krijuar një profil në një aplikacion takimesh.
Natyrisht, asnjë nga këto imazhe nuk është reale, por shakaja ka bërë jehonë, pasi pasqyron përplasjen publike politike mes kryeministres italiane dhe presidentit amerikan Donald Trump.
Marrëdhënia e tyre, gjatë muajve të fundit, ka kaluar nga sulme publike në fyerje personale dhe anasjelltas, duke ftohur atë që dikur konsiderohej një nga aleancat më të vëzhguara në politikën evropiane.
Dikur Meloni cilësohej si “pëshpëritësja e Trump”, e vetmja lidere evropiane në rreshtin e parë në inaugurimin e tij në janar 2025.
Në prillin e kaluar, ajo ishte gjithashtu liderja e zgjedhur e BE-së, për të vizituar Shtëpinë e Bardhë në një takim që synonte uljen e tensioneve mbi tarifat amerikane ndaj produkteve evropiane.
Për një figurë që e nisi karrierën nga një pozicion politik më i dobët, me rrënjë në traditën post-fashiste dhe që për vite është përpjekur të paraqitet, si një e moderuar dhe e besueshme e së djathtës evropiane, afërsia me Trump nuk është parë thjesht si një lidhje diplomatike e dobishme.
Ajo u interpretua si dëshmi, në skenën më të madhe ndërkombëtare, se ajo “i përkiste këtij pozicioni”.
Por, sjellja e paparashikueshme e Trump, ka qenë e vështirë për t’u përballuar dhe kontrolluar nga Meloni – duke dëmtuar kredibilitetin e saj, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.
Përplasja e parë serioze, erdhi në fund të marsit, kur Ministria e Mbrojtjes së Italisë refuzoi t’i lejonte avionëve ushtarakë amerikanë që shkonin drejt Lindjes së Mesme të përdornin bazën e NATO-s në Sigonella, në Siçili, pa miratimin parlamentar.
Vendimi u mbështet në kushtetutën italiane dhe në kundërshtimin e fortë publik ndaj luftës.
Disa javë më vonë, përplasja u thellua.
Trump sulmoi Papa Leone XIV në “Truth Social” në prill, për kritikat e tij ndaj luftës, duke e quajtur “ jo mjaftueshëm i ashpër ndaj krimit”.
Meloni, e cila përfaqëson një vend me tradita katolike, e cilësoi deklaratën presidentit amerikan “të papranueshëm”.
Trump nuk e priti mirë reagimin. “Jam i shokuar me të,” tha ai për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”.
“Mendoja se kishte guxim, por gabova. Kjo është e papranueshme… Italia nuk është më e njëjta”, shtoi ai.
Në qershor, marrëdhëniet dukeshin se po përmirësoheshin. Në samitin e G7-tës në Évian-les-Bains në Francë, Trump dhe Meloni u fotografuan duke në biseduar në një divan, ndërsa zyrtarët italianë e përshkruan atë një “bisedë sqaruese”.
Meloni deklaroi se atmosfera kishte qenë “shumë pozitive”, pa tensione.
Por pa kaluar shumë kohë, situata u përmbys sërish.
Disa ditë më vonë, Trump deklaroi për televizionin italian “La7”, se Meloni i ishte “lutur” për një foto në samit.
Në telefonatën e transmetuar me zë të dubluar në italisht, ai tha: “Ajo donte me çdo kusht një foto me mua. Nuk do ta kisha bërë, por më erdhi keq për të”.
Meloni reagoi shpejt me një videomesazh, duke e quajtur deklaratën e Trump “krejtësisht të sajuar”.
“Nuk e di pse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës sillet kështu me aleatët e tij”, tha ajo.
“Është për të ardhur keq që nuk tregon të njëjtën vendosmëri ndaj armiqve të Perëndimit… Por ka një gjë që duhet ta kujtojë: as unë dhe as Italia nuk kërkojmë favore”, shtoi ajo.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani anuloi një vizitë të planifikuar në Uashington.
Reagimet në Itali ishin të menjëhershme dhe nga i gjithë spektri politik.
Presidenti Sergio Mattarella i telefonoi Melonit për t’i shprehur solidaritet.
Anëtarë të qeverisë dhe deputetë i cilësuan deklaratat e Trump, si fyese dhe dëmtuese për dinjitetin e Italisë, duke kërkuar kërkimfalje, ndërsa opozita i dënoi si një fyerje ndaj vendit.
Trump u përgjigj duke e përforcuar qëndrimin e tij nga “Camp David”, duke këmbëngulur në “Truth Social” se Meloni i kishte kërkuar “vazhdimisht” foton dhe se po përpiqej të rifitonte miqësinë pas “fitores amerikane ndaj Iranit ushtarakisht”.
Ndërsa tensionet ende nuk ishin shuar, një tjetër përplasje u hap mbi bazat ushtarake.
Të mërkurën e kaluar, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte deklaroi për “Fox News” se, rreth 500 avionë amerikanë kishin përdorur bazat ushtarake në Itali, në mbështetje të “Operacionit Epic Fury”, emri i koduar i fushatës SHBA-Izrael ndaj Iranit.
Sipas tij, kjo ishte pjesë e një mbështetjeje më të gjerë evropiane me mijëra fluturime.
Roma reagoi ashpër.Ministria e Mbrojtjes italiane e cilësoi deklaratën “të pavërtetë” dhe “krejtësisht mashtruese”, duke këmbëngulur se Italia kishte autorizuar vetëm fluturime teknike dhe logjistike, dhe jo operacione luftarake.
Një zëdhënës i NATO-s më pas, sqaroi se Rutte kishte dashur thjesht të theksonte se aleatët, përfshirë Italinë, kishin respektuar marrëveshjet ekzistuese.
Në qarqet diplomatike në Romë, askush nuk dëshiron një prishje të plotë të marrëdhënieve me SHBA-në.
Raportime të fundit sugjeruan se disa ministra mund të shmangnin pritjen e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së në Villa Taverna, e parashikuar në 2 korrik, në shenjë solidariteti me Melonin, e cila gjithsesi nuk pritet të marrë pjesë.
Megjithatë, klima është zbutur. Tajani ka deklaruar se do të marrë pjesë “me kokën lart”, ndërsa aleatët e kryeministres thanë se ideja e bojkotit, është shndërruar në një qëndrim më të butë ku “secili është i lirë të veprojë si të dojë”.
Testi i vërtetë pritet të vijë në samitin e NATO-s në Ankara muajin e ardhshëm, kur Trump dhe Meloni do të gjenden sërish, në të njëjtën dhomë për herë të parë që nga G7.
Dhe pyetja kryesore mbetet e hapur: A do të arrijnë Meloni dhe Trump të përmirësojnë marrëdhënien e tyre, apo ky është vetëm fillimi i një ndarjeje më të thellë në skenën transatlantike?/mxh
