Disa gjeneratorë që furnizojnë me energji elektrike spitalet në Rripin e Gazës kanë ndaluar së funksionuari për shkak të mungesës së vajit, pjesëve rezervë dhe karburantit.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka paralajmëruar se situata po përkeqësohet, pasi mungesa e vajit për gjeneratorët po e vështirëson gjithnjë e më shumë garantimin e energjisë elektrike në spitalet që ofrojnë shërbime jetike.
Sipas ministrisë, sasitë e kufizuara të vajit që Izraeli ka lejuar së fundmi të hyjnë në Gaza janë të mjaftueshme vetëm për nevojat më urgjente. Spitalet, ndërkohë, kanë nevojë për rreth 2,500 litra vaj në muaj.
“Gjeneratorët e mbetur po punojnë pa ndërprerje, në kushte të vështira teknike dhe mekanike, dhe nuk janë në gjendje të mbulojnë nevojat për energji elektrike të të gjitha reparteve që ofrojnë shërbime jetike”, deklaroi ministria.
Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se edhe gjeneratorë të tjerë mund të dalin jashtë funksionit nëse vaji nuk zëvendësohet urgjentisht. Për këtë arsye, është kërkuar lejimi i menjëhershëm i furnizimeve thelbësore për mirëmbajtjen dhe funksionimin e tyre.
Gjeneratorët janë kthyer në burimin kryesor të energjisë për spitalet e Gazës pas ndërprerjeve të zgjatura të furnizimit me energji elektrike. Mungesa e vazhdueshme e karburantit, vajit dhe pjesëve rezervë ka vështirësuar funksionimin e tyre.
Sipas të dhënave të cituara në raportim, lufta në Gaza që prej tetorit 2023 ka shkaktuar mbi 73 mijë viktima palestineze dhe më shumë se 174 mijë të plagosur, ndërsa ka lënë pas shkatërrime të mëdha në të gjithë territorin./mxh
