Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me krizën në Gjykatën Kushtetuese të Polonisë, pas pezullimit të kryetarit të saj, duke theksuar se Parlamenti polak ka kompetencën kushtetuese për të emëruar gjyqtarët e rinj.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian deklaroi se emërimi i tetë anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese është në kompetencën e Sejmit, parlamentit polak. Ai theksoi gjithashtu se autoritetet e vendit duhet të garantojnë funksionimin e gjykatës në përputhje me Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së.
Reagimi i Brukselit vjen pas përshkallëzimit të tensioneve në Varshavë, ku të premten u regjistruan edhe përplasje pranë Gjykatës Kushtetuese.
Kriza u thellua pas pezullimit të kryetarit të gjykatës, Bogdan Swiechkovski, i emëruar gjatë qeverisjes së mëparshme nacionaliste. Në vend të tij, drejtimin e institucionit e mori gjyqtarja Anna Korwin-Piotrowska.
Ndërkohë, presidenti polak Karol Nawrocki akuzoi kryeministrin Donald Tusk se po përpiqet të marrë kontrollin e Gjykatës Kushtetuese me forcë.
Komisioni Evropian rikujtoi edhe vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të 5 majit, përmes të cilit autoriteteve polake u kërkohet të mos pengojnë gjyqtarët e emëruar nga Sejmi në mars 2026 në ushtrimin e funksioneve të tyre.
Përplasja institucionale pasqyron konfliktin e vazhdueshëm mes presidentit Nawrocki dhe qeverisë pro-evropiane të kryeministrit Tusk për kontrollin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor në Poloni./ad
