Kryeministri Starmer e cilëson Ballkanin Perëndimor vendin ku vendoset siguria e kontinentit. Në ditën e Samitit të Procesit të Berlinit Britania e Madhe vendosi sanksione ndaj bandave të trafikantëve nga Ballkani.
Britania e Madhe këtë vit është mikpritësja e Samitit të Procesit të Berlinit. Në Londër janë ftuar liderët nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova. Ndërsa hapi të mërkurën, (22.10.) bisedimet me udhëheqësit ballkanikë në Londër, të cilat u përqendruan kryesisht në mënyrën si të përballohet sfida e migracionit, Kryeministri britanik Keir Starmer u shpreh për Ballkanin Perëndimor si “pika kritike” e Evropës, citon agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Rajoni është përshkruar si udhëkryqi i Evropës, por është edhe vendi ku “siguria e kontinentit tonë vihet në provë”, tha Starmer.
Në bisedimet e Samitit të Ballkanit ishin gjithashtu edhe Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kancelari austriak Christian Stocker së bashku me ministrat e Jashtëm nga Franca, Greqia dhe Italia dhe e ngarkuara e BE për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas nga Komisionit Evropian.
Starmer tha se bisedimet kësaj here përqendrohen tek siguria, migracioni dhe rritja ekonomike. Po ashtu liderët ballkanikë diskutojnë si të trajtojnë “ndikimin keqdashës” të Rusisë, çrrënjosjen e korrupsionit dhe çështjet e përbashkëta të migracionit, shkruan agjencia AFP.
Britania e Madhe të mërkurën vendosi sanksione ndaj bandave dhe financuesve me bazë në Ballkan që ndihmojnë në lehtësimin e kalimeve në det me anije të vogla, pasi mbërritjet e migrantëve këtë vit përmes Kanalit të La Manshës pritet të tejkalojnë totalin e vitit 2024. Sanksionet e fundit të Mbretërisë së Bashkuar, merren në një kohë, kur Kryeministri Keir Starmer përballet me presion të madh në vend për të ndaluar hyrjet ilegale në MB. Ato u bënë të ditura, ndërsa Starmer priste udhëheqësit evropianë në samitin e Ballkanit Perëndimor.
Duke detajuar masat e reja, Ministria e Jashtme britanike tha se ato godasin rrjetin Krasniqi dhe krerët e tij, të cilët i përshkroi si “një grup i krimit të organizuar me bazë në Kosovë, përgjegjës për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara dhe furnizimin e tyre me bandat kriminale”. Po ashtu sanksionohet Nusret Seferoviçin, udhëheqës i dyshuar i një bande kroate që furnizonte bandat ballkanike me pasaporta të falsifikuara kroate “për të lehtësuar hyrjen në vendet evropiane”.
