Kryeministri i landit gjerman të Baden-Württembergut, Cem Özdemir, do t’i kalojë një pjesë të pushimeve të tij verore në Shqipëri. Destinacioni nuk është zgjedhur rastësisht, pasi bashkëshortja e tij, Flavia Zaka, është me origjinë nga Shqipëria dhe është rritur atje.
Në një prononcim për mediat gjermane, Özdemir u shpreh se mezi pret të kalojë kohë me familjen dhe të zbulojë edhe më shumë bukuritë e Shqipërisë. Sipas tij, vendi ofron jo vetëm peizazhe tërheqëse, por edhe një shoqëri civile dinamike, elemente që e bëjnë vizitën edhe më interesante.
Vizita e kryeministrit në Shqipëri është pjesë e pushimeve të tij verore, përpara se të rikthehet në axhendën politike. Pas përfundimit të qëndrimit, ai do të nisë një tur veror në të gjithë Baden-Württembergun, ku pritet të zhvillojë takime me qytetarë në zona të ndryshme të landit.
Ndërkohë, edhe politikanë të tjerë të qeverisë së Baden-Württembergut kanë zgjedhur destinacione të ndryshme për pushimet. Ministrja e Turizmit, Nicole Hoffmeister-Kraut, planifikon të vizitojë Zvicrën dhe Tirolin e Jugut, ndërsa figura të tjera politike kanë preferuar pushime familjare, aktivitete sportive ose qëndrime më pranë shtëpisë.
Artikulli i publikuar nga mediat gjermane tregon se, edhe gjatë periudhës së pushimeve, drejtuesit politikë do të mbeten të disponueshëm për çështjet zyrtare, ndërsa synojnë ta shfrytëzojnë këtë kohë për të kaluar më shumë momente me familjen dhe për t’u rikthyer të freskët në angazhimet e tyre publike./mxh
