Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka deklaruar se vendi i tij nuk do të nënshtrohet ndaj presioneve dhe do të vazhdojë të mbrojë dialogun, respektin dhe të drejtën ndërkombëtare, pas kërcënimeve të fundit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në një postim në Facebook, Nielsen theksoi se ditët e fundit kanë lënë gjurmë të forta, duke iu referuar protestave masive të zhvilluara në Nuuk dhe në Kopenhagë. Sipas tij, këto demonstrata treguan “një unitet të fortë dhe dinjitoz”, ku qytetarët shprehën në mënyrë paqësore dashurinë për vendin dhe respektin për demokracinë.
Kryeministri i Groenlandës falënderoi gjithashtu mbështetjen e ardhur nga vende dhe liderë të tjerë ndërkombëtarë, duke theksuar se kjo nuk përbën ndërhyrje, por një njohje të qartë se Groenlanda është një shoqëri demokratike me të drejtë për të marrë vetë vendimet e saj.
Deklaratat e Nielsen vijnë në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka intensifikuar kërkesat që Groenlanda t’i kalojë Shteteve të Bashkuara, duke kërcënuar me tarifa ndëshkuese vendet që kundërshtojnë këtë qëndrim. Këto zhvillime kanë shtyrë edhe Bashkimin Evropian të shqyrtojë masa kundërpërgjigjeje.
“Ne nuk do të lejojmë që të ushtrohet presion mbi ne. Qëndrojmë të palëkundur në dialog, respekt dhe në të drejtën ndërkombëtare,” shkruan Nielsen.
Ndërkohë, sot ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, së bashku me ministrin danez të Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, pritet të zhvillojnë një takim në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Kryeministri Nielsen e cilësoi këtë takim si shumë të rëndësishëm, duke theksuar se çështjet e sigurisë në Arktik duhet të diskutohen me pjesëmarrjen dhe respektin e plotë të Groenlandës.
“Ne nuk jemi vetëm,” përfundoi kryeministri i Groenlandës./mxh
