Shfrytëzimi i krizës së Ceutës për të përfituar në Bruksel. Ky është objektivi i qeverisë italiane, e cila synon të kërkojë përshpejtimin e krijimit të qendrave të riatdhesimit në vende jashtë BE-së, sipas “modelit Shqipëri”, por pa i rënduar ato mbi taksapaguesit italianë, siç ka ndodhur me qendrat e Shëngjinit dhe Gjadrit, të cilat për një kohë të gjatë kanë qëndruar pothuajse bosh. Sipas planit, pjesa më e madhe e kostove do të mbulohej nga Bashkimi Europian.
Kjo është një nga kërkesat që Italia do të paraqesë të martën në mbledhjen e ministrave të Brendshëm të BE-së, të thirrur pas valës së emigracionit masiv në enklavën spanjolle të Ceutës, në kufi me Marokun, një situatë që ndërkohë është qetësuar në masë të madhe.
Kryeministrja Giorgia Meloni beson se ka në krah kryeministren daneze, socialisten Mette Frederiksen, dhe shpreson që edhe kancelari gjerman Friedrich Merz t’i bashkohet kësaj nisme. Nga Pallati Chigi dhe nga grupi i Konservatorëve Europianë po ushtrohet presion i fortë, pasi nuk është pritur mirë qëndrimi i kujdesshëm i komisionerit europian për Migracionin, Magnus Brunner, ndaj këtij projekti, megjithëse ai parashikohet në Paktin e ri për Migracionin, që hyri në fuqi më 12 qershor.
Shpresa e Romës është që zhvillimet në Ceutë të përshpejtojnë procesin dhe të rifillojnë negociatat me 12 vende, të zbuluara disa muaj më parë nga AFP. Diskutimet paraprake janë zhvilluar me Ruandën, Ganën, Senegalin, Tunizinë, Libinë, Mauritaninë, Egjiptin, Ugandën, Uzbekistanin, Armeninë, Malin e Zi dhe Etiopinë.
Nëse propozimi do të ecë përpara, pritet të kuptohet që nesër, gjatë mbledhjes së ambasadorëve të BE-së, ku Italia do të përfaqësohet nga Vincenzo Celeste.
Në Pallatin Chigi janë të bindur se ekziston një shumicë mbështetëse për këto ide. Si provë përmendet letra e firmosur dje nga 22 krerë shtetesh dhe qeverish të BE-së, e promovuar nga Meloni. Mes nënshkruesve mungon Franca, por burime qeveritare italiane nuk e konsiderojnë këtë problem.
“Shumica e qeverive ndajnë qasjen italiane”, thonë ato, duke shtuar se presidenti francez Emmanuel Macron nuk ka dashur kurrë t’i bashkohet “grupit të miqve” për çështjet e migracionit, që mblidhet para samiteve europiane. Sipas interpretimit të Romës, në këtë rast është pikërisht Franca ajo që mbetet e izoluar.
Edhe kancelari gjerman Merz kishte mbajtur një qëndrim më të kujdesshëm gjatë kulmit të krizës në Ceutë, por ai nënshkroi letrën, e cila përmban formulime më të zbutura pas negociatave diplomatike. Nga rrethi i Melonit bëjnë të ditur se nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta mes dy liderëve.
Sipas kryeministres italiane, “pamjet nga Ceuta treguan sa urgjente është një përgjigje europiane”. Ndërsa letra e 22 vendeve është, sipas saj, “sinjali” se linja italiane po mbështetet nga një numër gjithnjë e më i madh shtetesh. Të njëjtin mesazh përsëriti edhe motra e saj, Arianna Meloni, nga Puglia.
Vetëm një pasazh i letrës është më pak kritik ndaj Spanjës, e cila nuk përmendet me emër: “Mbrojtja e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian nuk është interes i një vendi të vetëm, por përgjegjësi e përbashkët e Europës.”
Ndërkohë, ministri i Jashtëm Antonio Tajani publikoi një video të vitit 1997, ku Silvio Berlusconi shihet duke u përlotur përballë emigrantëve shqiptarë, për të mbështetur idenë se migracioni duhet të jetë “i rregullt dhe i integruar”.
Në plan praktik mbeten pasojat e pezullimit të marrëveshjes së Schengenit dhe rreziku për probleme në aeroporte, çështje që po diskutohet edhe nga forcat e policisë. Në nivelet më të larta të qeverisë italiane po shqyrtohet mundësia që pezullimi të mos zgjasë një muaj, siç ishte parashikuar fillimisht, por shumë më pak, pasi situata në Ceutë tashmë është normalizuar.
Shqetësimi kryesor lidhet me vendimin e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez për legalizimin e emigrantëve. Programi parashikon deri në 500 mijë leje qëndrimi, por kërkesat e paraqitura janë të paktën dyfish më të shumta. Frika e disa vendeve të Europës Veriore, që i bindi ato të firmosnin letrën, është se kriteret mund të zbuten dhe një pjesë e emigrantëve të zhvendosen më pas në vende të tjera të BE-së.
Opozita italiane e cilëson pezullimin e Schengenit si një veprim thjesht propagandistik dhe flet për “shfrytëzim politik të situatës”. Ajo i kërkon Melonit të raportojë në Parlament.
Kryetarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, e quajti vendimin “një farsë”, duke thënë se “po grinden edhe me hartat gjeografike”. Ndërsa kreu i Lëvizjes 5 Yjet, Giuseppe Conte, akuzoi kryeministren se “ka zgjedhur t’ia hedhë fajin Spanjës, duke hapur një plagë me një vend mik”.
Edhe Angelo Bonelli, drejtues i Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë (AVS), i bëri thirrje presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, që “t’i tërheqë vëmendjen Melonit dhe të hapë një hetim mbi arsyet gjeopolitike që çuan në emergjencën e Ceutës”./ La Repubblica/kb
