Një shpërthim me bombë në një restorant luksoz në qendër të Moskës ka vrarë të paktën tre persona, përfshirë edhe autorin e dyshuar të sulmit të ndodhur mbrëmjen e së shtunës.
Komiteti Antiterrorizëm i Rusisë tha se një grua që mbante një pajisje shpërthyese të bërë në shtëpi u përpoq të hynte në restorantin në sheshin Kudrinskaya, por u ndalua nga një roje sigurie.
Pajisja shpërtheu në hyrje të restorantit, duke vrarë gruan, rojen dhe një klient të restorantit.
Agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti raportoi se të paktën 21 persona të tjerë u plagosën në shpërthimin, i cili ndodhi pak para orës 8 të mbrëmjes sipas orës lokale.
Në faqen zyrtare të restorantit thuhej se vendi ishte mbyllur të shtunën për një aktivitet privat. Oficerët e zbatimit të ligjit e kanë bllokuar zonën dhe kanë nisur një hetim për ngjarjen e rëndë, ndërkohë që autoritetet nuk i identifikuan menjëherë ata që dyshohet se qëndronin pas sulmit.
Rusia është përballur me disa sulme që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022. Ata fajësuan Kievin për një sërë vrasjesh dhe tentativash vrasjesh. /kb
