Shoferët e kamionëve kanë protestuar në pikën kufitare Serbi–Kroaci kundër sistemit të ri Entry-Exit të Bashkimit Europian, i cili sipas tyre po shkakton vonesa të gjata dhe po rrezikon vendet e punës.
Presidenti i Shoqatës Serbe të Transportit Ndërkombëtar, Nedjo Mandiç, deklaroi se rregullat e BE-së, që kufizojnë qëndrimin e shtetasve joanëtarë në zonën Shengen në 90 ditë brenda 180 ditëve, po çojnë drejt dëbimit të shoferëve profesionistë.
Protesta ishte pjesë e një aksioni më të gjerë të shoferëve të kamionëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke bllokuar përkohësisht një korridor kyç që lidh Bashkimin Europian me Turqinë dhe Lindjen e Mesme.
Sipas shoqatës boshnjake “Logistika”, e cila përfaqëson rreth 47 mijë punëtorë, më shumë se 100 shoferë janë dëbuar vitin e kaluar për tejkalim të afatit të lejuar, ndërsa edhe 100 dëbime të tjera janë paralajmëruar javën e kaluar.
Sistemi Entry-Exit, i nisur në tetor të vitit të kaluar, është një mekanizëm i automatizuar që kërkon regjistrimin e udhëtarëve në kufi përmes skanimit të pasaportës, marrjes së shenjave të gishtërinjve dhe fotografisë. BE-ja thotë se masa synon identifikimin e personave që qëndrojnë ilegalisht, luftën kundër mashtrimit me identitet dhe parandalimin e migracionit të paligjshëm./mxh
