Last Updated on 08/09/2026 by Anisa
Kulla Eiffel në Paris u mbyll të hënën pasi punonjësit nisën një grevë, në shenjë proteste ndaj mënyrës se si u trajtuan disa punonjëse femra gjatë vizitës së një grupi fetar hindu.
Rreth 100 persona të lidhur me organizatën hindu Bochasanwasi Akshar Purushottam Swaminarayan Sanstha (BAPS) vizituan monumentin e famshëm në kryeqytetin francez të shtunën.
Sipas përfaqësueses së sindikatës së punonjësve, Diane Davoine, me mbërritjen e delegacionit, disa gra që punonin në kullë u urdhëruan të largoheshin nga vendet e tyre të punës, në mënyrë që aty të vendoseshin burra.
“Gjatë vizitës së këtij delegacioni, grave iu kërkua të largoheshin nga vendet e tyre të punës për t’u zëvendësuar nga burra”, tha Davoine për Reuters.
Ajo shtoi se drejtuesit e kompanisë u kishin kërkuar më pas falje punonjësve, por incidenti shkaktoi zemërim dhe tensione mes stafit.
Kompania pranon se kërkesa nuk duhej të ishte pranuar
Société d’Exploitation de la Tour Eiffel (SETE), kompania që administron Kullën Eiffel, konfirmoi se delegacioni kishte kërkuar që vizita të organizohej në mënyrë që të kufizoheshin “ndërveprimet me gratë”.
Kompania deklaroi për AFP se këto kushte “nuk duhej të ishin pranuar”, duke theksuar se ato nuk përputhen me vlerat e saj dhe me parimin e barazisë mes burrave dhe grave.
Presidenti i SETE, Ariel Weil, e cilësoi praktikën si të papranueshme dhe rikonfirmoi angazhimin e Kullës Eiffel ndaj vlerave republikane franceze dhe barazisë gjinore.
BAPS: Vizita ishte organizuar për të shmangur shqetësimet
Organizata BAPS tha se vizita ishte organizuar në bashkëpunim me ekipin e Kullës Eiffel në orët e para të hapjes, me qëllim që të mos shqetësoheshin vizitorët e tjerë.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, organizata kërkoi ndjesë për çdo shqetësim apo dhimbje të shkaktuar, duke theksuar se beson te vlerat universale të respektit dhe shërbimit.
BAPS kishte inauguruar të dielën tempullin e saj të parë madhor në Francë, në periferi të Parisit.
Reagime të forta në Francë
Incidenti ka shkaktuar reagime të forta edhe në politikën franceze.
Kryebashkiaku i Parisit, Emmanuel Grégoire, deklaroi se do të zhvillohet një hetim për rrethanat e vizitës. Ai tha se zemërimi i punonjësve të Kullës Eiffel ishte i ligjshëm dhe theksoi se barazia mes grave dhe burrave duhet të zbatohet kudo.
Edhe figura të tjera politike franceze dënuan ngjarjen, duke insistuar se asnjë besim fetar apo kulturë nuk mund të përcaktojë se ku duhet të qëndrojnë gratë në shoqërinë franceze.
Kulla Eiffel mbeti e mbyllur të hënën si pasojë e grevës së punonjësve./ad
