Last Updated on 26/06/2026 by Anisa
Pas publikimit të fotove dhe lajmeve në rrjetet sociale që pretendonin se vaskat kurative të Bënjës, në Përmet, ishin tharë, ka reaguar ministrja Mirela Kumbaro, duke sqaruar se situata lidhet me procesin teknik të testimit të investimit që po realizohet në këtë zonë.
Sipas Kumbaros, fotografitë e publikuara janë të ditës së sotme, por interpretimi i tyre është spekulativ, pasi boshatisja e përkohshme e vaskave është pjesë e testimeve të domosdoshme për rregullimin e prurjeve të ujit dhe nivelit të tyre.
“Sa flasim, vaskat po mbushen sërish, në mënyrë të kontrolluar, sepse inxhinierët e dinë saktësisht se si kryhet kjo punë,” shprehet ministrja, duke theksuar se projekti nuk është deklaruar asnjëherë i përfunduar dhe se punimet vijojnë.
Kumbaro nënvizon se zona e ujërave termale të Bënjës është në proces rikualifikimi falë një investimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili përfshin rrugë të reja aksesi, ambiente shërbimi, hapësira rekreative dhe infrastrukturë të re turistike, të ndërtuara – sipas saj – në harmoni me natyrën dhe peizazhin karakteristik të zonës.
Në reagimin e saj, ministrja kritikon edhe komentet në rrjetet sociale, duke i cilësuar si përpjekje për të nxirë një nga destinacionet turistike më të rëndësishme të jugut të vendit.
Ajo kujton se Përmeti ka pësuar një transformim të madh gjatë viteve të fundit, duke kaluar nga një zonë me pak vizitorë në një destinacion të preferuar për turizmin vendas dhe të huaj.
Ndërkohë, Kumbaro bën të ditur se këtë fundjavë Bënja do të presë një aktivitet kulturor me artistë dhe muzikë tradicionale përmetare, ndërsa vizitorët, sipas saj, po vazhdojnë të shijojnë vaskat termale edhe gjatë zhvillimit të testimeve.
Reagimi i ministres vjen pasi fotot e vaskave të zbrazura qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale, duke ngritur dyshime mbi funksionimin e tyre pas investimit të fundit./ad
