Last Updated on 10/11/2026 by Monika
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i bëri thirrje udhëheqjes së re të Serbisë që të njohë realitetin që Kosova është shtet i pavarur.
Në një bashkëbisedim me studentët e Paris School of International Affairs (PSIA), Kurti theksoi gjithashtu që Serbia të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, duke kërkuar dorëzimin e Milan Radoiçiçit, të cilin e cilësoi si organizatorin kryesor të sulmit ku mbeti i vrarë një efektiv policie.
“Ky duhet të jetë gjithashtu një proces përmes të cilit qeveria e Serbisë, e cila së fundmi ka kaluar nëpër një ndryshim të udhëheqjes, të arrijë ta njohë realitetin e shekullit XXI: Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete”, tha Kurti.
Ai u shpreh se Serbia duhet të ndalë fushatën kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës, ndërsa bëri thirrje edhe për një qasje më të drejtë të BEndaj integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kurti rikujtoi gjithashtu rëndësinë e njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së dhe katër shtetet e NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, duke theksuar se historia e Kosovës nuk mund të krahasohet me lëvizjet e tjera separatiste.
“Çështja e tretë, e ndërlidhur ngushtë me dialogun me Serbinë, është njohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur atë. Besojmë se ato duhet ta kuptojnë se rrethanat në të cilat lindi vendi ynë, represioni, spastrimi etnik dhe gjenocidi që përjetoi populli ynë, nuk mund të barazohen thjesht me lëvizjet separatiste me të cilat nganjëherë bëhen paralele”, tha ai./mxh
