Këngëtari Frederik Ndoci ka bërë një postim në rrjetet sociale lidhur me situatën e ndodhur në 50 orët e fundit, ku ai është ndalur te morali, tradhtia në çift dhe mënyra se si njeriu përballet me tundimet që i ofron jeta.
Përmes një postimi në facebook, ai i është referuar Jezu Krishtit dhe shprehjes: “Kush është sinqerisht i pa mëkat, të gjuajë gurin i pari!”.
Po ashtu ai është ndalur te marrëdhëniet në çift dhe tradhtia, duke theksuar se këto dy të fundit përfshijnë dy persona.
Postimi i plotë:
Në ndotjen e ajrit të 50 orëve të fundit, më kujtohet Jezu Krishti kur u del përpara burrave me gur në duar që do mbytnin Maria Magdalenën.
Ai u tha: – “Kush është sinqerisht i pa mëkat, të gjuajë gurin i pari!”
Burrat ulën kokën dhe pasi hodhën gurët përdhe, u kthyen nga kishin ardhur.
Gjithsecili ka një moral karakteri dhe një shfaqjeje, sepse jeta të dikton të dytin, ndërsa formimi dhe ndërgjegjja të parin, moralin që vërtet e ke.
Kam lexuar diku se më mirë të kesh 100 divorce se sa një tradhti.
Por mos të harrojmë se tradhtitë janë në çift, pra nga dy vetë.
Flirtet absolutisht që janë tradhti, pavarësisht peshës së tyre abstrakte, dhe shpesh bëhen shkak dominimi që mposht edhe stoicizmin karakterial të formimit dhe ndërgjegjes personale.
Jeta të ofron të gjitha, por të gjitha, edhe pse janë tunduese.
Sipas formimit që posedon, nuk të dobësojnë, por të bëjnë edhe më të ndërgjegjshëm të jesh ai që e meriton ta shkruajnë në pllakën e varrit një ditë.
