Anëtarja e Kryesisë së PD-së, Ilda Zhulali, komentoi zhvillimet e fundit që lidhen me deputeten e PS-së, Elisa Spiropali, dhe kryebashkiakun e Tiranës, ndaj të cilit rëndojnë 13 akuza të rënda penale të ngritura nga drejtësia.
Sipas Zhulalit në një intervistë, gjendja aktuale brenda Partisë Socialiste nuk është aspak e mirë dhe kjo do të pasqyrohet në shifrat elektorale, duke sjellë kosto që duhet të shfrytëzohen nga Partia Demokratike.
Zhulali theksoi se Veliaj ka ndryshuar skemë dhe taktikë, duke kaluar nga mesazhet e koduara me nëntekst në një luftë frontale ndaj kryeministrit Edi Rama.
Sipas saj, mosfunksionimi i strukturave socialiste ka dëmtuar imazhin e PS-së dhe sistemin e patronazhimit.
Përplasjet me Spiropalin kanë arritur kulmin, duke bërë që presioni ndaj Ramës të jetë tashmë tepër i madh. Sipas Zhulalit, kryeministri po përballet me një luftë në 2 fronte, e cila reflekton shkërmoqjen e Partisë Socialiste për shkak të përplasjeve të brendshme.
“Duke goditur drejtpërdrejt Elisa Spiropalin, e cila njihet edhe për marrëdhënien e saj të veçantë me Ramën, goditet një figurë që ka pasur një raport të afërt me kryeministrin.
Ajo ka marrë përsipër edhe koston e deklaratave të saj të mëparshme, me lavdërime për Edi Ramën që, në disa raste, nuk kanë qenë thjesht hiperbolike, por ekzagjerime të pamenduara.
Rama duhet me doemos ta neutralizojë këtë situatë, sepse po krijohen disa faktorë njëri pas tjetrit.
Pas Erion Veliajt, i cili duket se ka vendosur tashmë të zhvillojë një luftë të vërtetë politike, vjen edhe ky zhvillim i ri.
Nëse deri vonë Veliaj luante përmes mesazheve dhe kodeve mafioze, tani duket se ka kaluar në një tjetër fazë të përplasjes.
Rama e di shumë mirë se kjo do t’i kushtojë drejtpërdrejt në procesin zgjedhor që kemi përpara. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rast se krijohet një front i përbashkët opozitar, ku Partia Demokratike të bashkohet me të gjitha partitë e tjera.”, tha Zhulali./Mxh
