Last Updated on 14/10/2026 by Anisa
Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë orëve të vona të natës së të martës në zonën e Shkozës, në Tiranë, ku 35-vjeçari Astrit Idrizi dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës sociale ku jetonte, ndërsa brenda ndodheshin bashkëjetuesja dhe fëmijët e tyre të mitur.
Sipas informacioneve paraprake, Idrizi dyshohet se e ka kryer aktin pas konflikteve të vazhdueshme me bashkëjetuesen, pasi dyshonte se ajo e tradhtonte. Këto dyshime, sipas raportimeve, kishin shkaktuar debate të përsëritura mes çiftit dhe kishin çuar në përkeqësimin e marrëdhënies së tyre.
Pas ngjarjes, 35-vjeçari raportohet se është vetëdorëzuar në polici, ku u ka thënë efektivëve: “Më ka tradhtuar”.
Ndërkohë, zjarri në banesat sociale në Shkozë ka përfunduar me pasoja tragjike, pasi dy të moshuar kanë humbur jetën. Rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe përgjegjësia e të dyshuarit për zjarrin dhe pasojat e tij, po hetohen nga autoritetet.
Policia dhe shërbimet e emergjencës ndërhynë në vendngjarje, ndërsa pritet të dalin të dhëna të mëtejshme për dinamikën e zjarrit dhe gjendjen e personave të tjerë të përfshirë./ad
