Një nga fjalëkalimet më të përdorura në botë, “123456”, dyshohet se ka ndihmuar në aksesimin e të dhënave personale të 8.8 milionë njerëzve në Danimarkë, në një incident të rëndë të sigurisë kibernetike.
Sipas pretendimeve të një hakeri, ky fjalëkalim i ka mundësuar hyrjen në llogarinë e një kompanie daneze të teknologjisë së informacionit, duke ekspozuar potencialisht të dhëna që përfshijnë emra, adresa dhe numra personalë identifikimi.
Autoritetet daneze kanë konfirmuar se është shfrytëzuar aksesi i kompanisë në regjistrin kombëtar të popullsisë. Ngjarja i është referuar policisë për hetime të mëtejshme, ndërsa ende mbetet për t’u përcaktuar plotësisht shkalla e ekspozimit të të dhënave.
Sipas zyrtarëve, personat që gëzojnë mbrojtje të posaçme për emrin dhe adresën nuk janë prekur nga incidenti.
Rasti rikthen në vëmendje rëndësinë e përdorimit të fjalëkalimeve të forta dhe unike, veçanërisht për llogaritë që kanë akses në informacione sensitive. Një fjalëkalim i thjeshtë dhe i parashikueshëm mund të krijojë rreziqe serioze për sigurinë e të dhënave personale./ad
