Është shumë e lehtë që një fundjavë të kthehet në një vrimë të zezë për paratë. Një kafe këtu, një drekë me miqtë, disa pije apo një blerje e vogël dhe, pa e kuptuar, buxheti mund të jetë tejkaluar. Pikërisht për këtë arsye, një metodë e thjeshtë kursimi po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në rrjetet sociale: “fundjava vetëm me para në dorë”.
Ideja është shumë e thjeshtë. Para se të nisë fundjava, vendosni një shumë fikse që jeni të gatshëm të shpenzoni. Të premten ose të shtunën në mëngjes, tërhiqni atë shumë në cash dhe gjatë gjithë fundjavës përdorni vetëm paratë që keni marrë me vete. Kur ato mbarojnë, nuk ka më shpenzime.
Kjo metodë synon të frenojë sidomos blerjet impulsive. Kur paguani me telefon ose kartë, shpesh është më e lehtë të shpenzoni pa e ndier menjëherë ndikimin në buxhet. Ndërsa kur paratë janë fizikisht në portofol, çdo kartëmonedhë që largohet bëhet më e dukshme.
Këshilltarja financiare Nadia Vanderhall, e cituar nga Bustle, thekson se kjo është veçanërisht e dobishme sot, kur pagesat digjitale janë bërë pjesë e përditshmërisë. Sipas saj, shumë njerëz paguajnë me Apple Pay ose Google Pay dhe nuk e kuptojnë gjithmonë sa po shpenzojnë në total.
Si funksionon metoda?
Fillimisht kontrolloni buxhetin tuaj dhe mendoni se çfarë aktivitetesh keni planifikuar gjatë fundjavës. Përfshini daljet me miqtë, kafenetë, restorantet, transportin apo edhe ndonjë aktivitet të paplanifikuar. Më pas caktoni një shumë që mund t’i përballoni pa prekur kursimet dhe pa rrezikuar pagesat e faturave.
Pasi të keni tërhequr paratë, mund t’i vendosni në një zarf ose në një portofol të veçantë. Rregulli është që të mos përdorni kartën apo telefonin për shpenzime të tjera. Vanderhall sugjeron që një kartë bankare të mbahet me vete vetëm për raste urgjente, por jo në një vend ku mund të përdoret lehtësisht.
Një nga avantazhet kryesore është se metoda ju detyron të mendoheni para çdo blerjeje. Nëse keni 100 euro për gjithë fundjavën dhe shpenzoni 20 euro për një vakt, e shihni menjëherë se ju kanë mbetur 80 euro. Kjo mund t’ju bëjë të hiqni dorë nga një blerje që në një situatë tjetër do ta kishit bërë pa u menduar gjatë.
Metoda mund të jetë veçanërisht e dobishme për personat që kanë zakon të bëjnë shumë shpenzime të vogla. Një kafe, një ëmbëlsirë, një porosi ushqimi apo një blerje spontane mund të duken të parëndësishme veçmas, por në fund të fundjavës mund të krijojnë një shumë të konsiderueshme.
Nëse paratë mbarojnë para të dielës në mbrëmje, rregulli është i thjeshtë: nuk tërhiqni të tjera. Mund të ndryshoni planet, të zgjidhni një aktivitet falas ose thjesht të qëndroni në shtëpi. Pikërisht ky kufizim është pjesa që e bën metodën efektive.
“Fundjava vetëm me cash” nuk premton të zgjidhë të gjitha problemet financiare, por mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë zakonet tuaja të shpenzimit. Në fund të fundit, qëllimi nuk është të hiqni dorë nga argëtimi, por të dini paraprakisht sa mund të shpenzoni dhe të mos zgjoheni të hënën duke pyetur veten: “Ku shkuan të gjitha paratë?”/mxh
