Kylie Jenner po bën hapin e madh drejt aktrimit dhe këtë herë nuk do të luajë më veten. Ylli i familjes Kardashian-Jenner do të jetë protagoniste e një seriali të ri thriller për Hulu, ku do të interpretojë një personazh të vrarë në rrethana misterioze.
Seriali titullohet “Bachelorette Weekend” dhe historia nis në një mënyrë tragjike: një festë beqarie shndërrohet në makth pasi nusja e ardhshme gjendet e vrarë në pishinë. Pjesa më interesante? Të gjitha mikeshat e saj më të afërta bëhen të dyshuara për vrasjen.
Kylie do të jetë pikërisht nusja e vrarë, personazhi që do të jetë në qendër të gjithë misterit. Edhe pse ajo nuk do të jetë fizikisht e pranishme në pjesën më të madhe të historisë, ngjarjet do të zbërthehen rreth saj dhe asaj që ka ndodhur gjatë natës së festës.
Por pas këtij projekti duket se fshihet edhe një tjetër Kardashian. Kim Kardashian ka qenë ajo që mendoi fillimisht për Kylie-n në rolin kryesor. Sipas raportimeve, Kim e kishte marrë skenarin fillimisht si një projekt të mundshëm për ta prodhuar, por pasi e lexoi, mendoi se historia do t’i përshtatej motrës së saj më të vogël.
Kështu, skenari përfundoi te Kylie dhe të dyja u përfshinë shpejt në projekt.
Seriali është zhvilluar nga Lauren Oliver, autore e njohur për veprat Panic, Before I Fall dhe trilogjinë Delirium, bazuar në një roman ende të pabotuar të Flora Collins.
Për Kylie-n, ky është një ndryshim i rëndësishëm në karrierë. Ajo ka qenë më parë pjesë e disa produksioneve, por kryesisht duke luajtur versione të vetes. Është shfaqur në “Ocean’s Eight” dhe së fundmi në The Moment, projektin mockumentary të A24 të lidhur me Charli XCX.
Këtë herë situata është krejt ndryshe. Kylie do të duhet të interpretojë një personazh të mirëfilltë, në një histori ku misteri, vrasja dhe marrëdhëniet mes shoqeve janë në qendër.
Projekti vjen në një moment kur familja Kardashian-Jenner po zgjerohet gjithnjë e më shumë në industrinë e filmit dhe televizionit. Kylie është tashmë protagoniste dhe producente ekzekutive e “The Kardashians”, ndërsa Kim ka ndërtuar një profil gjithnjë e më të fortë si aktore dhe producente.
Kim do të jetë gjithashtu pjesë e disa projekteve të tjera, përfshirë filmin e Netflix “The Fifth Wheel”, ndërsa është e përfshirë edhe në projekte televizive si “Calabasas” dhe “Team Moms: Baseball”./mxh
