Last Updated on 06/10/2026 by EL
Mesfushori Fabian Ruiz, fitoi gjithçka në këtë sezon si me PSG, ashtu edhe me Spanjën, por deklaroi se vetëm trofetë nuk mjaftojnë për Topin e Artë. Ai e pranon se do të ishte ëndërr të fitonte trofeun prestigjioz, duke thënë se ka qenë përcaktues në momentet kryesore.
Një sezon me lavdi evropiane dhe Kupa e Botes i kanë sjellë Fabian Ruiz një sfidë të re jashtë fushës së lojës. Ai është përfshirë në listën e ngushtë për “Topin e Artë” 2026, me shpresën për të përmirësuar vendin e njëzet e katërt që arriti vitin e kaluar.
Mesfushori i Paris Saint-Germain dhe i Spanjës ishte i shkëlqyer gjatë gjithë sezonit. Ai e ndihmoi klubin e tij të fitonte Champions, më pas e ruajti atë formë edhe me kombëtaren, duke dhënë kontributin e tij në triumfin në Kupën e Botës.
Ruiz shprehu kënaqësinë e tij për përfshirjen në listë në intervistën për gazetën franceze “L’Equipe”.
“Të jem në listën e tridhjetë lojtarëve është një nder i madh për mua. Shpresoj që anëtarët e jurisë së ‘Ballon d’Or’ të votojnë për lojtarin më të denjë, sepse vetë prania mes kandidatëve është një nder në vetvete. Jam mirënjohës për besimin që kanë treguar ndaj meje dhe për faktin që jam në këtë listë. Për një futbollist, besoj se ‘Ballon d’Or’ është një çmim i mrekullueshëm dhe shpresoj të arrij pozicionin më të mirë të mundshëm këtë vit”.
Koleksioni i tij i medaljeve flet vetë, megjithatë spanjolli nuk pranoi t’i nënvlerësonte rivalët e tij.
“Për sa u përket titujve, nuk mendoj se dikush ka pasur performancë më të mirë se unë, por në nivel individual, kishte lojtarë të mrekullueshëm që zhvilluan sezone të shkëlqyera. fakti që jam një prej tyre është një nder i madh dhe një burim i madh krenarie për mua. Në momentet kyçe të sezonit, për fat të mirë isha i pranishëm në fushë dhe luajta një rol të rëndësishëm si me Paris Saint-Germain-in, ashtu edhe me kombëtaren”./et
