Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka mbrojtur vendimin për të mos lejuar kryebashkiakun e Mançesterit të Madh, Andy Burnham, të kandidojë në një zgjedhje të pjesshme parlamentare.
Burnham, i cili më herët ka mbajtur disa poste ministrore përpara se të zgjidhej kryebashkiak, shihet gjerësisht si një rival i mundshëm për drejtimin e Partisë Laburiste, në rast se do të rikthehej në Parlament.
Duke folur në Londër, Starmer deklaroi se lejimi i Burnham për të kandiduar do të shpërqendronte burimet e partisë nga zgjedhjet lokale të muajit maj, ku Laburistët përballen me rrezikun e humbjeve.
“Andy Burnham po bën një punë shumë të mirë si kryebashkiak i Mançesterit, por zhvillimi i një gare zgjedhore të panevojshme për këtë post do të na largonte burimet nga zgjedhjet që janë thelbësore për ne”, u shpreh Starmer.
Vendimi pritet të shtojë pakënaqësitë brenda Partisë Laburiste, popullariteti i së cilës ka rënë ndjeshëm që prej fitores dërrmuese në zgjedhjet e korrikut 2024. Kryeministri Starmer po përballet me vështirësi në përmbushjen e premtimeve për një ekonomi më të fortë, shërbime publike më cilësore dhe politika më të ashpra për kufijtë./mxh
