Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, paralajmëroi sot drejtuesit e automjeteve se kontrolli në rrugë vijon pa ndërprerje, edhe në mungesë të prezencës fizike të policisë, falë përdorimit të teknologjisë së avancuar.
Në një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët, Lamallari theksoi se “syri i teknologjisë” është i pranishëm në të gjitha akset rrugore, duke monitoruar në kohë reale çdo shkelje të rregullave të qarkullimit.
Sipas tij, përmes dronëve dhe mjeteve inteligjente identifikohen shkelje si tejkalimi i shpejtësisë, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, përdorimi i celularit gjatë drejtimit dhe parkimet e gabuara.
“Vërtet mund të mos ketë policë nëpër rrugë, por mjetet inteligjente dhe dronët janë në të gjitha akset nacionale dhe urbane për të kapur shoferët që shkelin rregullat, rrezikojnë veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës. Syrit të pagabueshëm të teknologjisë nuk i shpëtoni dot”, u shpreh ministri.
Lamallari nënvizoi se kjo qasje synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgjegjshmërisë së drejtuesve të mjeteve, me qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve në vend./mxh
