Një transmetim i pandërprerë në YouTube për nëntë ditë rresht ka rezultuar në një nga fushatat bamirëse më të mëdha online, ku influenceri polak Piotr Hancke, i njohur si “Latwogang”, ka mbledhur mbi 50 milionë paund për fëmijët e prekur nga kanceri.
Siç shkruan BBC, ky transmetim, i realizuar nga një apartament në Varshavë dhe i ndjekur nga miliona shikues, u mbështet nga figura të njohura ndërkombëtare, mes të cilëve përmendim këngëtarin e grupit të njohur britanik Coldplay Chris Martin si dhe ish-portierin e Arsenalit, Wojciech Szczęsny.
Në nismë u përfshinë gjithashtu futbollistë të njohur si Lamine Yamal dhe Robert Lewandowski, të cilët kontribuuan me mesazhe dhe video mbështetëse.
Gjatë gjithë transmetimit, Latwogang dëgjonte vazhdimisht një këngë të krijuar nga reperi polak Bedoes 2115 për bamirësinë, e cila përfshinte edhe zërin e një fëmije të sëmurë me kancer. Në shenjë solidariteti, disa nga të ftuarit madje rruan kokën, veprim që u pasua edhe nga vetë organizatori i fushatës.
Chris Martin u bashkua përmes një videomesazhi, ku interpretoi shkurt dhe kërkoi falje për përpjekjen e tij për të folur polonisht, ndërsa Robert Lewandowski ndau një video në rrjetet sociale duke kërcyer me këngën e fushatës.
Transmetimi nisi më 17 prill dhe përfundoi të dielën, duke arritur deri në 1.4 milionë shikues njëkohësisht në kulmin e tij.
Sipas të dhënave zyrtare të fondacionit “Cancer Fighters Foundation”, janë mbledhur mbi 52 milionë paund, shumë që tejkalon ndjeshëm rekordet e mëparshme të fushatave të ngjashme online.
Organizata ka premtuar transparencë të plotë për përdorimin e fondeve, duke theksuar se donacionet do të shkojnë drejtpërdrejt për ndihmën e fëmijëve që përballen me sëmundjen e kancerit./mxh
