Last Updated on 04/10/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Ekzistojnë lajme që godasin thellë në kujtesën tonë kolektive, duke lënë një hije të pashlyeshme. Kjo hije ra kur u përhap lajmi për ndarjen nga jeta të Remo Xhirones, mjeshtrit italian të artit të heshtur, i cili me një shikim të thellë dhe një praninë të fuqishme, na mësoi të lexojmë brenda errësirës së personazheve të tij. Me largimin e tij, na mungon jo vetëm një aktor, por një zë i veçantë që fliste përmes heshtjes…
…Ai është fort i njohur për botën shqiptare. Dhe ishte një prej atyre aktorëve që nuk kishin nevojë për prezantim formal. Ai nuk ishte thjesht një aktor; për shqiptarët, ishte njeriu që shkeli në jetët tona të izoluara nën diktaturë si një ambasador i pathirrur i botës së ndaluar, i kompleksitetit moral, i errësirës magjepsëse. Për publikun shqiptar ai mbetet Tano Karidi, një figurë që tejkaloi rolin dhe u kthye në simbol. Rrallë ndodhte që një personazh negativ të fitonte kaq shumë peshë emocionale dhe respekt estetik nga një publik që në kohën e transmetimit të “La Piovra” jetonte i izoluar nën diktaturë. Tano Karidi u bë pasqyra e një bote që nuk njihej mirë, por që trondiste, dhe ai ishte syri që e kapi atë me ftohtësi dhe zjarr njëkohësisht. Për miliona shqiptarë, transmetimi i “La Piovra” ishte një ritual i heshtur, një hapje dritareje drejt Perëndimit, dhe fytyra e tij ishte ajo që mishëronte më së miri atë kontrast tragjik.

“La Piovra”
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta më 3 tetor 2025, në moshën 76-vjeçare, në banesën e tij në Monako, ku prej vitesh jetonte me bashkëshorten, aktoren Viktoria Zini, u prit me trishtim të thellë. Sidomos në vende si Shqipëria, ku ai nuk ishte vetëm një aktor, por një figurë ikonike kulturore.
Remo Xhirone nuk bërtiste në skenë, ai ngjallte tension me praninë e tij. Lëvizjet e tij ishin të maturuara, zëri i ulët por i prerë, shikimi depërtues, sikur gjithmonë fshihte një mendim më shumë sesa thoshte. Tano Karidi është ndoshta mishërimi më i pastër i “të keqes së heshtur” në televizionin europian të viteve ’80-’90. Por Xhirone nuk luajti thjesht si kriminel, ai e ngriti këtë figurë në një nivel gati filozofik: të keqen si strukturë, si pushtet, si ligjësi.
Xhirone luajti rolin e Tano Karidit në shtatë sezone të serisë “La Piovra”, nga viti 1986 deri në 2001, duke i dhënë kohë dhe thellësi këtij personazhi që ndryshonte dhe zhvillohej gjatë dekadave.
Edhe pse Tano Karidi ishte antagonisti kryesor i komisar Korrados Kattani, – i luajtur nga Michele Placido, – kompleksi i tij moral dhe inteligjenca e ftohtë e bënë atë një rol më karizmatik. Në këtë mënyrë, ai solli një përmasë psikologjike që i mungonte ekranit shqiptar të asaj kohe: për herë të parë publiku sheh një armik të brendshëm, jo thjesht një “armik të klasës”.
Karriera
Xhirone njihej për “aktrimin me sy” – teknika e tij e përdorimit të shikimit për të transmetuar kërcënim, mendim dhe kompleksitet e bëri atë unik dhe tejet të frikshëm.
Përtej suksesit si Tano Karidi, Xhirone ka pasur një karrierë të gjerë në teatër dhe film, me bashkëpunime të rëndësishme me regjisorë të kalibrit si Marko Belokio tek “Marcia Trionfale”, i vitit 1976), Etore Skola “Balli i Artë”, i vitit 1983 dhe Damiano Damiani, regjisori i parë i “La Piovra”.
Në vitin 2019 ai interpretoi Enzo Ferrari në filmin holivudian “Le Mans ’66” apo me titulli origjinal: “Ford v Ferrari”, përkrah yjeve si Met Demon dhe Kristian Bejl. Ky ishte një kulm ndërkombëtar që vulosi një jetë artistike të ndërtuar mbi role komplekse dhe sfiduese, duke treguar aftësinë e tij për të luajtur figura historike dhe me autoritet.
Lidhja me Shqipërinë
Në vitet e fundit, Xhirone pati një rikthim emocional në Shqipëri përmes filmit shqiptaro-italian “Portreti i pambaruar i Klara Bellinit”. Në këtë film – me regji të Namik Ajazi, skenar të Ruzhdi Pulaha dhe fotografi nga Nino Çeleste – ai luajti përkrah bashkëshortes së tij, duke mishëruar rolin e një diplomati italian. Ky ishte një moment që e lidhi sërish fizikisht me audiencën e tij më besnike. Në intervistat e dhëna me këtë rast, ai foli me admirim për Tiranën dhe publikun shqiptar, duke e cilësuar vendin si një hapësirë ku arti ka një jehonë të veçantë dhe të fortë.
Kapitulli mbyllet
Me largimin e tij, mbyllet një kapitull i artit europian të ekranit dhe një epokë e veçantë për publikun shqiptar, që në fytyrën e tij pa për herë të parë kompleksitetin moral, tragjik dhe magnetik të një personazhi negativ.
Remo Xhirone nuk ishte thjesht aktor — ai ishte prania që zgjati dekada në kujtesën kulturore shqiptare. Me të, largohet një fragment i vetëdijes sonë vizuale, por thelbi i tij mbetet: i paprekshëm, i ftohtë dhe thellësisht njerëzor. Ai na mësoi se e keqja nuk bërtet; ajo është e heshtur, e pasur dhe pret.
