Last Updated on 10/09/2026 by Klara
Qeveria parashikon të krijojë të një fond të veçantë për përfundimin e punimeve te objektet e konfiskuara, si dhe ngritjen e një grup punë për konstatimin e detyrimeve për blerësit me kontrata porosie, dhe kontrata e lidhura për shitblerje me pronarët truallit.
Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, drafti me ndryshimet në ligjin për administrimin e projekteve të konfiskuara është depozituar për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas raportit të vlerësimit të ndikimit që shoqëron projektligjin e ri rezulton se deri tani, nga 5 objektet e konfiskuara të shitura, janë arkëtuar rreth 3.5 mln euro, teksa pritet arkëtimi edhe për 9 mln euro fonde prej një subjekti zhvillues.
Fondi i ri synon që këto burime dhe financime të tjera të përdoren për përfundimin e punimeve në objektet e papërfunduara, si dhe për përshtatjen e tyre për përdorim ekonomik ose publik.
“Në zbatim të ligjit nr. 66/2023, AAPSK ka marrë në administrim 26 objekte të konfiskuara dhe ka ndjekur procedurat përkatëse për shitjen, transferimin, kalimin në administrim të institucioneve publike dhe lidhjen e kontratave me subjektet e interesuara.
Konkretisht, 5 objekte janë shitur, duke gjeneruar të ardhura në vlerën rreth 3,5 milionë euro, ndërsa 2 objekte janë kaluar në pronësi ose administrim të institucioneve publike përfituese, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Për 3 objekte janë lidhur kontrata premtim-shitjeje, ndërsa 3 objekte të tjera ndodhen në proces negocimi të kontratës me subjektin zhvillues “Xhelux”. Për këto të fundit, subjekti ka kryer pagesën prej 10% të vlerës së pasurive dhe pritet lidhja e kontratës për shlyerjen me këste të pjesës së mbetur, në vlerën rreth 9 milionë euro”, theksohet në raport.
Në raport theksohet se gjithashtu, AAPSK ka ndjekur procedurat për 13 objekte për të cilat ende nuk është marrë vendimmarrja përfundimtare nga Komisioni i Objekteve të Konfiskuara, përfshirë 9 raste në të cilat subjektet përkatëse kanë ushtruar zyrtarisht të drejtën e parablerjes.
“Këto veprime tregojnë se institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë hapa konkretë për administrimin dhe realizimin e vlerës ekonomike ose publike të objekteve të konfiskuara. Megjithatë, fakti që një pjesë e konsiderueshme e portofolit mbetet ende pa vendimmarrje përfundimtare ose në procese të zgjatura negocimi evidenton nevojën për përmirësimin e kuadrit procedural dhe institucional, me qëllim përshpejtimin e vendimmarrjes dhe përdorimit efektiv të këtyre objekteve”.
Përveç administrimit dhe realizimit të objekteve të konfiskuara sipas procedurave të parashikuara në ligjin nr. 66/2023, AAPSK ka vijuar edhe administrimin ekonomik të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Gjatë vitit 2024, 282 pasuri janë dhënë me qira, duke gjeneruar të ardhura në vlerën 159,1 milionë lekë, rreth 97% më shumë se në vitin 2023.
Sipas Raportit Vjetor 2024 të AAPSK-së, pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara të marra në administrim gjatë vitit 2024 u rritën me rreth 70% krahasuar me vitin 2023. Vetë Agjencia ka evidentuar nevojën për rritjen e numrit të administratorëve dhe stafit mbështetës, si dhe për riorganizimin e strukturës dhe modernizimin e kapaciteteve njerëzore, me qëllim përballimin e rritjes së aktivitetit.
Nga 6 muaj afat për vedeklarimin e ndërtimeve pa leje, kompensimin e blerësve dhe kontratat e kleringut, çfarë parashikojnë 26 nënet e projektligjit.
Ky projektligj përbëhet nga 26 nene dhe synon rishikimin e kuadrit ligjor për administrimin, zhvillimin dhe disponimin e objekteve të konfiskuara, me qëllim rritjen e eficiencës, qartësisë juridike dhe transparencës institucionale.
Neni 1 i projektligjit parashikon ndryshime dhe shtesë në nenin 3, të ligjit në fuqi, duke riformuluar përkufizimin e “Grupit të punës”, duke shfuqizuar përkufizimet e pikave 4 dhe 8, si dhe duke shtuar përkufizimin e “Fondit të veçantë / të dedikuar për ndërtimet pa leje”.
Neni 2 i projektligjit parashikon ndryshime në nenin 9, të ligjit në fuqi, lidhur me autoritetet përgjegjëse për zbatimin e ligjit, duke përcaktuar ministrin përgjegjës për konfiskimet dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), të cilën e ka në varësi, ndryshimin e shkronjës “c”, si dhe shfuqizimin e shkronjës “dh”.
Neni 3 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 10, të ligjit në fuqi, duke ripërcaktuar kompetencat e ministrit përgjegjës për konfiskimet në lidhje me kalimin e objekteve të konfiskuara në përdorim, pronësi ose përgjegjësi administrimi të institucioneve publike, si dhe me miratimin e përdorimit të fondit të veçantë / të dedikuar për ndërtimet pa leje.
Neni 4 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 11, të ligjit në fuqi, duke riorganizuar kompetencat e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) për administrimin, zhvillimin, shitjen dhe monitorimin e objekteve të konfiskuara, përdorimin e fondit të veçantë / të dedikuar për ndërtimet pa leje, si dhe procedurat për marrjen në administrim, legalizimin dhe publikimin e akteve, që lidhen me këto objekte.
Neni 5 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 12, të ligjit në fuqi, duke riorganizuar përbërjen, kompetencat dhe mënyrën e funksionimit të grupit të punës pranë AAPSK-së, si dhe duke përcaktuar detyrat e tij në procesin e vlerësimit, administrimit dhe zhvillimit të objekteve të konfiskuara, përfshirë përdorimin e ekspertizës së jashtme dhe miratimin e rregullave të funksionimit me rregullore të brendshme.
Neni 6 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 13, të ligjit në fuqi, duke ripërcaktuar kompetencat e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) në procedurat që lidhen me objektet e konfiskuara, si dhe duke parashikuar dispozita kalimtare për procedurat e filluara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 7 i projektligjit parashikon ndryshime dhe shtesë në nenin 14, të ligjit në fuqi, lidhur me kompetencat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) për regjistrimin e objekteve të konfiskuara, pasqyrimin e pronësisë shtetërore dhe regjistrimin e AAPSK-së, si organ administrues i pasurisë.
Neni 8 i projektligjit parashikon shfuqizimin e neneve 15 dhe 16, të ligjit në fuqi.
Neni 9 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 17, të ligjit në fuqi, duke ripërcaktuar format e administrimit dhe zhvillimit të objekteve të konfiskuara, si dhe mënyrën e përcaktimit të destinacionit të tyre.
Neni 10 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 18, të ligjit në fuqi, duke rregulluar procedurat për administrimin dhe zhvillimin e objekteve të konfiskuara të ndërtuara në truall shtet, si dhe burimet financiare për përfundimin ose përshtatjen e tyre.
Neni 11 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 19, të ligjit në fuqi, duke rregulluar procedurat për administrimin dhe zhvillimin e objekteve të konfiskuara të ndërtuara në truall privat, si dhe marrëdhëniet me pronarët e truallit dhe personat e tretë.
Neni 12 i projektligjit parashikon shtimin e nenit 19/1, në ligjin në fuqi, duke rregulluar procedurat për administrimin dhe zhvillimin e objekteve me investim të papërfunduar, mënyrën e vlerësimit të tyre, përcaktimin e kostove të përfundimit të punimeve, përgjegjësitë e subjekteve zhvilluese dhe procedurat për regjistrimin dhe administrimin e këtyre objekteve.
Neni 13 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 20, të ligjit në fuqi, duke rregulluar mënyrat e shitjes dhe dhënies në përdorim të objekteve të konfiskuara, procedurat e zhvillimit të ankandit publik, administrimin e të ardhurave nga shitja dhe kufizimet për pjesëmarrjen në procedurat e shitjes.
Neni 14 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 21, të ligjit në fuqi, duke përcaktuar procedurat për destinimin e objekteve të konfiskuara për nevoja të strehimit social dhe interes publik, si dhe mënyrën e kalimit të tyre në pronësi, përdorim ose përgjegjësi administrimi të institucioneve publike dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.
Neni 15 i projektligjit parashikon ndryshime dhe shtesë në nenin 22, të ligjit në fuqi, lidhur me procedurat për vlerësimin e objekteve të konfiskuara, caktimin e ekspertëve të licencuar dhe afatet për hartimin e raportit të vlerësimit. Ndërkohë, procedurat e prokurimit publik për përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë, si dhe realizimi, mbikëqyrja, përfundimi i punimeve të nevojshme e kolaudimi i tyre, referuar ndërtimeve të papërfunduara, kryhen nga autoriteti kontraktor, i cili caktohet, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 16 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 23, të ligjit në fuqi, duke rregulluar të drejtat e pronarëve të truallit, njohjen e marrëdhënieve kontraktuale, procedurat për kalimin e pronësisë dhe pjesëmarrjen e tyre në procedurat e shitjes së objekteve të konfiskuara.
Neni 17 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 24, të ligjit në fuqi, duke rregulluar të drejtat e personave të tretë, njohjen e marrëdhënieve kontraktuale, procedurat e kompensimit financiar, trajtimin e kontratave të kleringut dhe pjesëmarrjen e tyre në procedurat e shitjes së objekteve të konfiskuara.
Neni 18 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 26, të ligjit në fuqi, duke rregulluar krijimin, burimet e financimit, administrimin dhe përdorimin e fondit të veçantë / të dedikuar për ndërtimet pa leje.
Neni 19 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 27, të ligjit në fuqi, duke përcaktuar procedurat për pajisjen e objekteve të konfiskuara me leje ndërtimi ose certifikatë përdorimi, dokumentacionin përkatës, si dhe përjashtimin e AAPSK-së nga tarifat e aplikimit.
Neni 20 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 28, të ligjit në fuqi, duke rregulluar procedurën për aplikimin dhe miratimin e lejeve të ndërtimit për objektet e konfiskuara, dokumentacionin e nevojshëm, procedurat e përshpejtuara dhe regjistrimin e lejes pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Neni 21 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 29, të ligjit në fuqi, duke përcaktuar procedurën për aplikimin dhe lëshimin e certifikatës së përdorimit për objektet e konfiskuara, si dhe regjistrimin e saj në regjistrat kadastralë
Neni 22 i projektligjit parashikon ndryshimin e nenit 30, të ligjit në fuqi, duke përcaktuar përjashtimet fiskale për AAPSK-në në procedurat e pajisjes me leje ndërtimi dhe certifikatë përdorimi, si dhe rregullon detyrimin për mbulimin e kostos së policës së sigurimit.
Neni 23 i projektligjit parashikon shtimin e neneve 30/1 dhe 30/2, në ligjin në fuqi, ku neni 30/1 vendos dispozita kalimtare për transferimin pranë AAPSK-së të dosjeve, dokumentacionit dhe fondit të konfiskimit të administruar nga strukturat ekzistuese. Gjithashtu, parashikon se subjektet poseduese, të cilët deklarojnë me vullnetin e tyre objektet e ndërtuara pa leje, pranë ogranit kompetent (AZHT), brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do t’i njihet e drejta e parablerjes dhe do të kenë mundësi t’i nënshtrohen procedurave përkatëse. Nga ana tjetër, neni 30/2 rregullon trajtimin e objekteve të konfiskuara përpara hyrjes në fuqi të ligjit, zbatimin e procedurave të reja administrative, respektimin e të drejtave të parablerjes të lindura sipas ligjit të mëparshëm dhe procedurat për ushtrimin e tyre. Gjithashtu, u jepet mundësi ligjore të gjitha subjekteve, të cilët në përgjegjësi dhe respektim të ligjit, të vetëdeklarojnë ndërtimet pa leje që ata disponojnë në mënyrë që të përfitojnë përgjatë periudhës tranzitore.
Neni 24 i projektligjit ngarkon Këshillin e Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore, brenda 6 muajve nga hyrja e tij në fuqi.
Neni 25 i projektligjit parashikon shfuqizimin e akteve nënligjore, që bien në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.
Neni 26 i projektligjit përcakton hyrjen në fuqi të ligjit, 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”./ Monitor/k.m
