Last Updated on 19/06/2026 by Kesjana
Lindja e një fëmije ndryshon rrënjësisht jetën e një familjeje, por shëndeti mendor i baballarëve shpesh mbetet në hije. Dy studime të reja tregojnë se leja e paguar e atësisë nuk është thjesht një përfitim pune, por një masë e rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit mendor të prindërve. Sipas hulumtimeve të publikuara në revistën shkencore American Journal of Public Health, baballarët që nuk kanë mundësi të marrin leje atësie ose detyrohen ta marrin pa pagesë, kanë më shumë gjasa të vuajnë nga ankthi dhe depresioni. Në të kundërt, ata që përfitojnë një leje të gjatë dhe të paguar nga shteti ose punëdhënësi, kanë rrezik më të ulët për probleme të shëndetit mendor gjatë viteve të para të jetës së fëmijës. Një studim i realizuar nga shkencëtarët e Northwestern University dhe Ann & Robert H. Lurie Children’s Hospital në Çikago analizoi të dhënat e 4.290 baballarëve të rinj në SHBA. Rezultatet treguan se 6,6% e tyre vuanin nga depresioni, ndërsa 11% nga ankthi. Baballarët që kishin marrë leje atësie pa pagesë kishin 58% më shumë gjasa të përjetonin ankth krahasuar me ata që kishin përfituar leje të paguar. Ndërkohë, ata që dëshironin të merrnin leje por nuk mundën për arsye ekonomike, raportuan më shpesh simptoma ankthi dhe depresioni. Studiuesit theksojnë se pengesa kryesore për shumë familje mbetet financiare. Edhe pse roli i babait në rritjen e fëmijëve po vlerësohet gjithnjë e më shumë, politikat sociale ende nuk i janë përshtatur plotësisht nevojave të reja të prindërimit. Një studim tjetër, i kryer nga Karolinska Institutet në Suedi, ndoqi 746 baballarë për 18 muaj. Rezultatet treguan se ata që kishin marrë leje atësie nga 14 deri në 40 javë kishin dukshëm më pak simptoma depresive sesa baballarët që kishin qëndruar në shtëpi vetëm rreth katër javë. Sipas studiuesve, një periudhë më e gjatë pranë fëmijës ndihmon në krijimin e një lidhjeje më të fortë emocionale, në ndarjen më të mirë të përgjegjësive familjare dhe në forcimin e rolit prindëror. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e rrezikut për depresion dhe përmirësimin e mirëqenies së gjithë familjes. Ekspertët përfundojnë se garantimi i një leje të paguar dhe të aksesueshme për të gjithë baballarët mund të sjellë përfitime jo vetëm për shëndetin mendor të tyre, por edhe për zhvillimin e fëmijëve, rikuperimin e nënave dhe stabilitetin ekonomik e emocional të familjeve./kb
