Një kujtim shumë personal nga jeta e Amy Winehouse ka dalë në ankand dhe ka tërhequr vëmendjen e fansave të këngëtares britanike. Bëhet fjalë për një letër dashurie që Winehouse i kishte shkruar bashkëshortit të saj, Blake Fielder-Civil, kur ai ndodhej në burg.
Letra daton në shkurt të vitit 2009 dhe ishte shkruar në formën e një kartoline për Shën Valentin. Në të, këngëtarja i shprehte bashkëshortit ndjenjat e saj, duke e mbyllur mesazhin me një puthje dhe disa zemra të vizatuara me dorë.
Në atë periudhë, Fielder-Civil ndodhej në një burg në Suffolk dhe kishte nisur procedurat për divorcin, ndërsa Amy ishte me pushime në Karaibe. Pavarësisht krizës së marrëdhënies, letra tregon se lidhja emocionale mes tyre vazhdonte të ishte e fortë.
Dokumenti, i cili nuk ishte bërë më parë publik, u nxor në shitje nga shtëpia britanike e ankandeve Ewbank’s, në Guildford të Surrey-t. Vlera e tij ishte parashikuar fillimisht mes 2,000 dhe 4,000 paund, por interesi i blerësve e çoi çmimin përfundimtar në 4,940 paund, përfshirë tarifat.
Krahas letrës, në ankand u përfshi edhe zarfi origjinal i adresuar për Fielder-Civil në burg, me pulla postare nga Shën Luçia.
Historia e tyre do të merrte fund vetëm pak muaj më vonë. Amy Winehouse dhe Blake Fielder-Civil u divorcuan në korrik 2009, pas një martese të trazuar dhe disa përpjekjeve për t’u pajtuar.
Fielder-Civil ishte dënuar në vitin 2008 me 27 muaj burg për sulmin ndaj pronarit të një pub-i dhe për përpjekjen për ta bindur atë të tërhiqte deklaratën e dhënë në polici./ad
