Irlanda dhe Rumania renditen ndër vendet më bujare të Evropës, sipas një raporti të fundit që mat si përqindjen e njerëzve që dhurojnë, ashtu edhe pjesën e të ardhurave që u kushtojnë donacioneve. Gati 6 në 10 evropianë kanë dhuruar para për një kauzë të mirë gjatë vitit 2025, qoftë duke ndihmuar drejtpërdrejt njerëzit në nevojë, duke dhuruar për organizata bamirësie apo për arsye fetare. Të dhënat vijnë nga World Giving Report i Charities Aid Foundation (CAF).
Për raportin e fundit global, CAF anketoi 60,443 persona në 105 vende, gjatë periudhës 5 janar–18 shkurt 2026, duke i pyetur për mënyrën se si kanë dhuruar gjatë vitit 2025. Mostrat për çdo vend përfshinin përgjithësisht nga 250 deri në 1,000 të rritur.
Irlanda dhe Holanda kryesojnë për donacionet
Irlanda dhe Rumania rezultojnë ndër vendet më bujare të Evropës. Kur merret në konsideratë vetëm dhurimi për organizatat bamirëse, Irlanda dhe Holanda kanë përqindjen më të lartë të njerëzve që kanë dhuruar. Në të tre vendet: Irlandë, Holandë dhe Rumani donacionet për organizatat bamirëse përbënin mesatarisht rreth 0.4% të të ardhurave. Në Irlandë, më shumë se dy të tretat e popullsisë kanë dhuruar për organizata bamirësie gjatë vitit 2025, një përqindje pak më e lartë se në Holandë.
Rumania paraqet një tablo ndryshe. Vetëm 27% e rumunëve kanë dhuruar për organizata bamirësie, por donacionet e tyre përbënin mesatarisht 0.4% të të ardhurave. Kur llogariten të gjitha format e dhurimit: përfshirë ndihmën e drejtpërdrejtë për njerëzit në nevojë dhe dhurimet për qëllime fetare, Rumania ngjitet në vendin e parë në Bashkimin Evropian. Donacionet përbënin mesatarisht 0.9% të të ardhurave, e ndjekur nga Kroacia me 0.8% dhe Irlanda me 0.7%.
Në anën tjetër, Letonia kishte nivelin më të ulët të donacioneve totale në raport me të ardhurat. Për donacionet specifikisht për organizatat bamirëse, nivelet më të ulëta u regjistruan në Hungari dhe Sllovaki.
Evropa mbetet kontinenti më pak bujar
Pavarësisht se pjesa më e madhe e vendeve evropiane janë ekonomi me të ardhura të larta, kontinenti renditet i fundit në botë kur bujaria matet si përqindje e të ardhurave.
Evropianët dhuruan mesatarisht 0.6% të të ardhurave gjatë vitit 2025, krahasuar me një mesatare globale prej 1%. Në tri ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Evropian: Gjermani, Francë dhe Itali donacionet përbënin mesatarisht vetëm 0.4% të të ardhurave. Asnjë vend i BE-së nuk është pjesë e 10 vendeve më bujare në botë. Jashtë BE-së, Ukraina spikat: 61% e njerëzve kanë dhuruar para dhe donacionet përbënin mesatarisht 1.2% të të ardhurave.
Raporti evidenton gjithashtu një lidhje të fortë mes nivelit të dhurimeve dhe ndjenjës së përkatësisë në komunitetin lokal. Në vendet ku më shumë se 80% e popullsisë ndihen fort të lidhur me komunitetin e tyre, njerëzit dhurojnë mesatarisht tre herë më shumë sesa në vendet ku këtë ndjenjë e kanë më pak se gjysma e popullsisë.
Për çfarë dhurojnë evropianët?
Në Evropë, mënyra më e zakonshme e dhurimit është përmes organizatave bamirëse. 38% e njerëzve kanë dhuruar në këtë formë, ndërsa 26% kanë ndihmuar drejtpërdrejt njerëzit në nevojë dhe 14% kanë dhuruar për organizata ose qëllime fetare. Në nivel global, ndihma e drejtpërdrejtë ndaj njerëzve në nevojë ishte forma më e përhapur e dhurimit, me 36% të njerëzve që zgjodhën këtë mënyrë. Rreth 22% e donatorëve kanë mbështetur organizata që veprojnë në më shumë se një shtet. Evropianët kanë gjithashtu prirje të mbështesin organizata ndërkombëtare. Norvegjia dhe Suedia janë të vetmet vende evropiane ku më shumë se gjysma e donatorëve kanë mbështetur organizata që veprojnë në nivel ndërkombëtar. Fëmijët dhe të rinjtë ishin kauza më e mbështetur në Evropë, me 29% të donatorëve që kanë dhënë kontribut për këtë kategori.
Nigeria kryeson renditjen globale
Diferenca mes vendeve më bujare dhe atyre me nivelin më të ulët të dhurimeve është e madhe. Nigeria renditet e para në botë, me donacione që arrijnë mesatarisht në 2.8% të të ardhurave. Në 10 vendet më bujare në botë nuk ka asnjë shtet evropian; tetë prej tyre ndodhen në Afrikë dhe dy në Azi. Në këto 10 vende, 80% e njerëzve kanë dhuruar para, krahasuar me mesataren globale prej 61%. Donacionet përbënin mesatarisht 2.1% të të ardhurave, më shumë se dyfishi i mesatares globale.
Rreth 45% e parave të dhuruara në këto vende u janë dhënë drejtpërdrejt njerëzve dhe familjeve në nevojë. Në skajin tjetër të renditjes është Japonia, ku njerëzit dhuruan mesatarisht vetëm 0.2% të të ardhurave, niveli më i ulët mes 105 vendeve të përfshira në studim. Vetëm 15% e japonezëve kanë dhuruar specifikisht për organizata bamirësie gjatë vitit 2025.
Një prej arsyeve kryesore për të mos dhuruar lidhet me mundësitë financiare. 39% e njerëzve që nuk dhuruan thanë se nuk kishin mundësi ekonomike për ta bërë këtë. Kjo përqindje rritet në 44% në vendet me të ardhura të larta, krahasuar me 37% në vendet e tjera. Arsyeja e dytë më e zakonshme ishte preferenca për të ndihmuar në mënyra të tjera, e cituar nga 17% e personave që nuk dhuruan para. Shumë prej tyre deklaruan se kishin dhënë mallra, kishin bërë punë vullnetare ose kishin mbledhur fonde për të ndihmuar të tjerët./ad
