Të paktën një person humbi jetën dhe 12 të tjerë u plagosën pas një sulmi ajror izraelit në qytetin Tebnin, në zonën Bint Xhbejl, në jug të Libanit, njoftoi sot Ministria libaneze e Shëndetësisë.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve NNA, sulmi goditi çatinë e një xhamie që ndodhet në varrezat e qytetit.
Ushtria izraelite deklaroi se kishte kryer sulme të synuara në jug të Libanit, duke pretenduar se ato ishin një përgjigje ndaj një shkeljeje të qartë të armëpushimit nga grupi Hezbollah.
Megjithatë, ajo nuk dha detaje mbi objektivat e goditura, ndërsa Hezbollahu nuk reagoi menjëherë ndaj këtyre pretendimeve.
Sulmi ndodhi ndërsa në Romë po zhvillohej raundi i shtatë i bisedimeve mes zyrtarëve izraelitë dhe libanezë, për forcimin e armëpushimit, që i dha fund përshkallëzimit të fundit të konfliktit.
Hezbollahu nuk merr pjesë drejtpërdrejt në këto negociata.
Izraeli dhe Hezbollahu vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit.
Sipas marrëveshjes, Izraeli duhet të tërheqë trupat nga jugu i Libanit, ndërsa Hezbollahu duhet të çarmatoset dhe zona të vendoset nën kontrollin e ushtrisë libaneze, por këto masa ende nuk janë zbatuar plotësisht./mxh
