Last Updated on 13/08/2026 by EL
Tre shqiptarë, dy prej tyre të Kosovës janë dënuar në Austri për grabitjen e 1.5 milionë eurove. Burg përjetë vendosi gjykata austriake për njërin prej tyre mbi të cilin rëndojnë akuza për 2 tentativa vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, por ka apeluar vendimin.
Dy shqiptarët nga Kosova u dënuan me nga 4 vite burg, me vendim të forcës së prerë.
Grabitja ndodhi një vit më parë, në shtëpinë e një çifti në Amstetten, por shuma e parave nuk gjendej aty.
Gruaja që banonte në këtë shtëpi ishte një pensioniste, çka rezultoi surprizë për autorët.
Megjithatë, ata nuk u larguan me vrap, por vazhduan planin e tyre. Njëri prej tyre e mbajti atë nën vëzhgim, ndërsa dy të tjerët vazhduan të kërkonin para dhe sende me vlerë.
Tre shqiptarët u ndërprenë nga zilja e derës. Njëri prej tyre, 58 vjeç, u përfshi në një shkëmbim me armë zjarri me dy policë, por u arrestua bashkë me bashkëpunëtorin. Sipas dëshmisë së tij, ai qëlloi në ajër. Megjithatë, gjurmët e barutit dhe një vrimë plumbi në një pemë, treguan se arma u ishte drejtuar policëve.
I treti ia mbathi, por policia ia doli ta gjente pas tri ditësh.
Në çantën sportive që mbante, u gjetën radio komunikimi, shirit ngjitës dhe targa automjetesh. Prokuroria i interpretoi këto materiale si një tregues se vepra ishte planifikuar me kujdes. Shiriti ngjitës mund të ishte përdorur për të lidhur personat që mund të ndodheshin në banesë.
Të tre të pandehurit pranuan akuzat për grabitje.
Sipas avokatëve mbrojtës të secilit prej tyre, të pandehurit nuk kishin pasur për qëllim t’i ushtronin dhunë gruas. I pandehuri i dytë e kishte me vete pistoletën, por ajo nuk kishte qenë e mbushur. Për më tepër, u larguan duarbosh duke dështuar në aktin e tyre.
Me një levë hekuri dhe lidhëse plastike, ata kishin kërcënuar pensionisten, duke e futur në një gjendje frike të madhe për jetën e saj. Që prej ngjarjes, e zonja e shtëpisë vuan nga çrregullimi i stresit post-traumatik.
Sipas vendimit, gjykata i akordoi 7,050 euro dëmshpërblim pronares së shtëpisë. Dy policëve, ndaj të cilëve shqiptari kishte qëlluar, gjykata u akordoi nga 5,000 euro secilit si dëmshpërblim për pasojat dhe ngarkesën psikologjike.
Për këtë qëllim do të përdoren edhe paratë që u janë sekuestruar tre shqiptarëve, të cilat arrijnë shumën 8,500 euro./et
