Austria ka miratuar një ligj që ndalon mbajtjen e shamisë në shkolla për vajzat nën moshën 14 vjeç.
Koalicioni konservator i tre partive qendrore, ÖVP, SPÖ dhe Neos, thotë se ligji përfaqëson një “angazhim të qartë për barazinë gjinore”, por kritikët paralajmërojnë se mund të nxisë ndjenja anti-muslimane në vend dhe mund të jetë jokushtetues.
Ligji do të zbatohet për vajzat në të gjitha shkollat publike dhe private.
Në vitin 2020, një ndalim i ngjashëm për vajzat nën 10 vjeç u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, pasi synonte veçanërisht muslimanët.
Sipas ligjit të ri, vajzat nën 14 vjeç do të ndalohen të mbajnë mbulesa tradicionale islame, si hijabi apo burka. Në rast të shkeljes së ndalimit, studentet do të kenë një seri diskutimesh me autoritetet shkollore dhe prindërit ose kujdestarët ligjorë. Në rast përsëritjeje të shkeljeve, duhet të njoftohet agjencia për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve.
Si masë e fundit, familjet ose kujdestarët mund të gjobiten deri në 800 euro (rreth 700 paund).
Anëtarët e qeverisë thonë se ligji ka për qëllim fuqizimin e vajzave të reja, duke i mbrojtur ato “nga shtypja”.
Para votimit, lideri i partisë liberale Neos, Yannick Shetty, deklaroi se ligji “nuk është një masë kundër një feje. Është një masë për të mbrojtur lirinë e vajzave në këtë vend” dhe shtoi se ndalimi do të prekë rreth 12,000 fëmijë.
Partia opozitare e djathtë ekstreme, Partia e Lirisë e Austrisë (FPÖ), e cila votoi për ndalimin, tha se ligji nuk shkon aq larg sa duhet. Ajo e përshkroi ndalimin si “hapi i parë”, i cili duhet të zgjerohet për të gjithë nxënësit dhe stafin shkollor.
“Duhet një ndalim i përgjithshëm i shamisë në shkolla; Islami politik nuk ka vend këtu,” tha Ricarda Berger, zëdhënëse për familjet e FPÖ-së.
Sigrid Maurer nga Partia e Gjelbër, opozitare, e quajti ligjin “qartësisht jokushtetues”.
Komuniteti zyrtar islam në Austri, IGGÖ, tha se ndalimi shkel të drejtat themelore dhe do të ndajë shoqërinë. Në një deklaratë në faqen e saj zyrtare thuhet: “Në vend që të fuqizojnë fëmijët, ata do të stigmatizohen dhe margjinalizohen.”
IGGÖ njoftoi se do të shqyrtojë “kushtetutshmërinë e ligjit dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme.”
“Gjykata Kushtetuese tashmë vendosi pa ekuivok në vitin 2020 se një ndalim i tillë është jokushtetues, pasi synon një pakicë fetare dhe shkel parimin e barazisë,” tha IGGÖ.
Qeveria thotë se ka përpjekur të shmangë këtë problem.
“A do të kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese? Nuk e di. Kemi bërë më të mirën,” tha Shetty.
Një periudhë prove për ndërgjegjësim do të nisë në shkurt 2026, ndërsa ndalimi do të hyjë plotësisht në fuqi në shtatorin e ardhshëm në fillim të vitit të ri shkollor./mxh
