**
Lindja e vështirë nuk është një veçori ekskluzive e qenieve njerëzore. Një studim i ri i publikuar në Nature Ecology & Evolution tregon se edhe disa lloje majmunësh të vegjël përballen me të njëjtin problem: të vegjlit e tyre kanë koka aq të mëdha sa kalimi nëpër kanalin e lindjes bëhet jashtëzakonisht i vështirë.
Prej dekadash, biologët e evolucionit kanë folur për të ashtuquajturën “dilema obstetrike”. Sipas kësaj teorie, anatomia e legenit të grave është rezultat i një kompromisi evolutiv: ai duhet të jetë mjaftueshëm i ngushtë për të mundësuar ecjen dykëmbëshe, por njëkohësisht të lejojë kalimin e një foshnje me tru dhe kafkë të madhe. Për këtë arsye, lindja tek njerëzit është zakonisht më e dhimbshme dhe më e ndërlikuar se te primatët e tjerë.
Kjo teori ka shpjeguar gjithashtu pse foshnjat njerëzore lindin me tru ende të papjekur, i cili vazhdon të zhvillohet për një kohë të gjatë pas lindjes. Megjithatë, studiuesit nga University College London kanë zbuluar se ky fenomen nuk është unik për njerëzit. Analiza e tyre tregon se edhe disa primatë të vegjël, si majmunët ketër (Saimiri), kanë të porsalindur me koka që mund të jenë deri në dy herë më të gjera se kanali i lindjes së nënës. Sipas autorëve, studimet e mëparshme ishin ndikuar nga një këndvështrim i përqendruar te njeriu. Për shembull, mënyra se si matet koka e të porsalindurve nuk merrte parasysh se disa specie primatësh me feçkë të zgjatur, si babuinët gelada, lindin me fytyrën të kthyer lart dhe jo drejt shpinës së nënës, siç ndodh zakonisht te foshnjat njerëzore. Për të arritur në këto përfundime, shkencëtarët përdorën modele tredimensionale (3D) të procesit të lindjes dhe zgjeruan analizën nga vetëm tetë specie të studiuara më parë në 29 specie primatësh. Rezultatet treguan se vështirësitë gjatë lindjes janë shumë më të zakonshme te primatët me përmasa të vogla sesa mendohej. Studimi sugjeron se nuk ekziston vetëm një “dilemë obstetrike”, por shumë të tilla, të zgjidhura në mënyra të ndryshme gjatë evolucionit. Për shembull, te makakët rhesus, kockat e legenit të femrave bashkohen më vonë se ato të meshkujve gjatë periudhës riprodhuese, duke krijuar më shumë fleksibilitet gjatë lindjes. Ndërsa te disa specie të tjera, këto kocka nuk bashkohen kurrë plotësisht, duke i lejuar legenit të zgjerohet gjatë lindjes dhe të krijojë më shumë hapësirë për kalimin e kokës së të porsalindurit. Zbulimi sfidon idenë e deritanishme se lindja e vështirë është një veçori unike e njeriut dhe tregon se evolucioni ka zhvilluar strategji të ndryshme për të përballuar të njëjtën sfidë biologjike në specie të ndryshme primatësh./FC
