Këngëtari legjendar amerikan, Lionel Richie, është detyruar të ndërpresë koncertin e tij në St. Paul, Minnesota, pasi u ndje keq gjatë performancës.
77-vjeçari po interpretonte hitin e njohur “Dancing on the Ceiling” kur përjetoi marramendje dhe u ul në skenë, duke u përpjekur fillimisht të vazhdonte shfaqjen.
Pas rreth 40 minutash ndërprerje, saksofonisti i tij, Dino Soldo, doli para publikut për të falënderuar të pranishmit për durimin dhe për të njoftuar se Richie nuk ndihej mirë dhe nuk ishte në gjendje ta vazhdonte koncertin.
Shfaqja, e planifikuar të zgjaste 90 minuta, ishte ndalesa e parë e turneut “Sing Along All Night Long”, i cili përfshin 26 koncerte dhe realizohet në bashkëpunim me grupin e njohur Earth, Wind & Fire.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi gjendjen shëndetësore të artistit, ndërsa fansat kanë shprehur mbështetjen dhe urimet për një rikuperim sa më të shpejtë./mxh
